Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka theksuar nevojën për de-përshkallëzimin e situatës në veri.
Ambasadori Hovenier pas takimit me presidenten Vjosa Osmani të hënën, është shprehur thellësisht i shqetësuar për mundësitë e dhunës në katër komunat veriore, derisa nënvizoi sërish se institucionet e Kosovës duhet të shmangin rrethanat kur kryetarët e komunave hyjnë në ndërtesa publike përmes përdorimit të forcës.
“Sapo u takova me presidenten Osmani me kërkesë të saj, ne folëm për situatën e tanishme në veri dhe shqetësimin tonë të përbashkët për mundësinë e dhunës dhe nevojën për de-eskalim. Unë kam pasur një takim më herët së bashku me kolegun tim ambasadorin Szunyog, ne i kishim ftuar të katër kryetarët e komunave nga veriu i Kosovës të na bashkohen, kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit na u bashkuan dhe ne biseduam me ta edhe për situatën, ne jemi thellësisht të shqetësuar, do e përsëris, nuk është mister që qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe qeveritë e QUINT-it kanë thënë të gjitha se ne besojmë se është e rëndësishme të shmangim rrethanat kur zyrtarët publikë hyjnë në ndërtesa publike përmes përdorimit të forcës, ky mbetet qëndrimi ynë”, theksoi ai.
Ambasadori amerikan tregoi para gazetarëve edhe për takimin e tij me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqirin dhe atë të Zveçanit, Ilir Peci, ku tha se diskutimi i tyre është fokusuar në mënyrën sesi ata t’i përmbushin detyrat e tyre ndaj të gjithë qytetarëve.
Ndërkaq, tha se nuk mund të flas pse nuk i kanë pranuar ftesat dy kryetarët e tjerë të komunave veriore, Erden Atiq nga Mitrovica e Veriut dhe Lulzim Hetemi nga Leposaviçi, të cilën vijnë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
“Diskutimi ynë me kryetarët e komunave është se si ata mund të përmbushin detyrat e tyre për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të tyre, ashtu siç pritet, dhe siç duam ne, por në një mënyrë që tregon interesin e tyre për të qenë të përgjegjshëm ndaj të gjithë qytetarëve të tyre, gjë që ne besojmë tani për tani do të thotë të mos hyjnë në ndërtesat e tyre përmes përdorimit të forcës”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Hovenier tha se do të ishte i lumtur të takohej edhe me kryeministrin Albin Kurti, por ai tashmë është në udhëtim zyrtar.
“Do të isha i lumtur të takohesha me kryeministrin Kurti kur të është e përshtatshme për të, e kuptoj se ai tashmë mund të jetë duke udhëtuar”, theksoi ai.
Më 26 maj, Policia e Kosovës i ka ndihmuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit për të hyrë në zyrat komunale, me gjithë kundërshtimet e ashpra të disa banorëve serbë vendas, që kanë çuar në përleshje me pjesëtarët e policisë.
Ky veprim u dënua nga vendet e QUNIT-it dhe veçanërisht nga ShBA-ja, ku reagoi edhe sekretari i shtetit, Antony Blinken.
Mëngjesin e sotëm, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur para objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë.
Policia e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it kanë shtuar praninë, ndërkohë që serbët në Zveçan kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të pjesëtarëve të institucionit të sigurisë së Kosovës./KosovaPress
Top Channel