Kryeministri i vendit dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ndodhet këtë të diel në Gjirokastër, ku vazhdon turin e falënderimeve për qytetarët që kanë votuar të majtën në zgjedhjet e 14 majit.

Rama i bëri një analizë fitores së thellë në zgjedhjet lokale.

“Përsa i përket fitores tonë, unë dua shumë që të gjithë ta kuptojnë dhe kur them të gjithë, nuk kam parasysh zgjedhësit, kam parasysh të zgjedhurit. Kam parasysh veten time, kam parasysh deputetët tanë, kam parasysh ministrat tanë, kam parasysh kryetarët tanë të bashkive, kam parasysh këshilltarët tanë, kam parasysh dhe të gjithë ata që marrin besimin tonë për të drejtuar institucione dhe agjenci që vota e 14majit nuk është një votë kënaqësie. Njerëzit nuk kanë votuar për ne kaq masivisht sepse janë të kënaqur me ne, këtë duhet ta kuptojmë shumë mirë në qoftë se duam që të mos fluturojmë, siç thotë Tërmeti, me barishte nga mbrapa. Duhet ta kuptojmë shumë mirë që njerëzit janë të pakënaqur me ne, duhet ta kuptojmë shumë mirë që çdo votues i yni, edhe çdonjëri nga ju këtu që i shërben kësaj force politike me përkushtim dhe që ka dhënë më tepër se ç’ka marrë, po ta pyesësh a je i kënaqur, do të thotë, Jo, nuk jam i kënaqur”.

Kryesocialisti shpreh synimin për t’i bërë bashkitë më të hapura dhe më pranë qytetarëve.

Të thuash ju kam borxh është pak, por të lash borxhin do të thotë që çdokujt që të del përpara dhe kërkon që ti ta dëgjosh, çdokujt që troket në derën tënde dhe kërkon që ti t’ia marrësh dhe shqyrtosh problemin, ti t’i rrish gati. Kjo është ajo që ne duhet ta kemi shumë, shumë parasysh që të gjithë dhe që do ta kenë parasysh të gjithë këta që i keni ulur në mes sot. Është hera e fundit që ulen në mes sepse do rrinë anash pastaj herët e tjera, madje tani pas kësaj të ulurës në mes duhet të rrinë në këmbë të tërë sepse pika e parë e programit të gjithë këtyre që ne i mbështetëm, i zgjodhëm dhe që do drejtojnë bashkitë tona është njerëzllëku, pika e parë pastaj infrastruktura e të tjerë.

Bashkitë tona duhet të jenë akoma më të hapura, duhet të gjejnë rrugë dhe mekanizma që ne po i mendojmë që njerëzit të kenë mundësi të hyjnë lirisht dhe të kenë mundësi të dëgjohen siç duhet”.

Sipas Ramës, me zhvillim e Gjirokastrës në punën që do të vazhdojë katër vitet e ardhshme, qyteti mund të mirëpresë deri në gjysmë milionë turistë.

“Ajo që unë mund t’ju them, është që në këto 4 vite që fillojmë me mandatin e ri të kryetarit të bashkisë, të bëjmë akoma më shumë se ç’kemi bërë dhe nëse Gjirokastrën në 2022 e pamë të regjistronte 200 mijë turistë, ne i kemi shumëfishuar turistët në 9 vjet nga 6000, në 200 000. Sigurisht që nuk t’i shumëfishojmë kështu çdo vit, por ama është plotësisht e mundur që ne numrin e turistëve në Gjirokastër ta çojmë në gjysmë milioni, që do të thotë të rrisim numrin e turistëve në të gjitha këto zona”.

Pas takimit në Gjirokastër, Rama dhe ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro, udhëtuan drejt Lazaratit, ku panë nga afër punën në qendrën e re të grumbullimit dhe përpunimit të bimëve medicinale. Kjo qendër, që ka marrë mbështetje nga qeveria, ka punësuar dhjetëra banorë të zonës.

Top Channel