Sylvinho publikon listën për ndeshjet e qershorit/ Rikthehen disa emra për ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe

27/05/2023 13:13

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho publikoi listën me emrat e 27 futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 në muajin qershor, fillimisht më datë 17 në shtëpi ndaj Moldavisë dhe pas tre ditësh në transfertë ndaj Ishujve Faroe.

Janë disa risitë e teknikut brazilian teksa rikthimi më i bujshëm lidhet me Armando Sadikun.

Sulmuesi që aktivizohet me Cartagenën në LaLiga 2, i mungonte kuqezinjve prej ndeshjes së Nations League ndaj Lituanisë më datë shtatë shtator të vitit 2020.

Në atë sfidë të humbur elbasanasi ishte në fushë përgjatë gjithë 90 minutëshit në disfatën 0-1. Tashmë, Sadiku do të provojë t’i japë sërish një dorë kuqezinjve në rrugën drejt Euro 2024.

Sakaq, në ndryshim nga lista e fundit që ishte përgatitur për ndeshjen me Poloninë, tekniku Sylvinho përveç Sadikut rikthen Keidi Baren e rikuperuar nga dëmtimi, Berat Gjimshitin, po ashtu edhe sulmuesin e Legias së Varshavës, Ernest Muçin si dhe portierin Simon Simoni të Eintracht Frankfurt që për herë të parë do të jetë pjesë e një ndeshje zyrtare me Shqipërinë, pasi më parë ka marrë pjesë vetëm në seancat stërvitore.

Pa harruar këtu edhe Mario Mitajn, mbrojtësin 19-vjeçar që aktivizohet në Rusi me Lokomotivën e Moskës në Premier Leaguen ruse.

Sakaq, në këtë grumbullim nuk janë më emra si Jon Mersinaj, Lindon Selahi, Marash Kumbulla që është aktualisht i dëmtuar si dhe Ermir Lenjani.

Më datë pesë qershor, trajneri Sylvinho do të dalë në një konferencë për shtyp ku do të flasë më me detaje për dy ndeshjet e qershorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA