Kryeministri Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë shqiptarë e të huaj të universitetit të Vlorës, “Ismail Qemali”, ku foli për arsimin e lartë dhe rëndësinë e procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve.
Kreu i qeverisë tha se ndërkombëtarizimi i universiteteve është një domosdoshmëri për ofrimin e zgjedhjeve të larmishme për të rinjtë që vazhdojnë studimet, me të njëjtat programe dhe të njëjtat standarde si në vendet e Europës.
Rama shtoi se me reformën e arsimit të lartë po krijohen hapësira për ta parë veten universiteti si pjesë e një rrugë ku nuk pritet gjithçka nga qeveria, por nga ndërveprimi dhe me universitetet e tjera.
“Hapja e sa më shumë dyerve për studentët dhe pedagogët në Europë dhe njëkohësisht sjellja e sa më shumë dije dhe eksperience nga Europa në universitetet tona, janë një domosdoshmëri për transformimin e mëtejshëm të universitetit, ku duhet të jemi në gjendje që t’u japim nxënësve qe mbarojnë shkollën dhe përgatiten për universitet, që të kenë këtu në Shqipëri zgjedhje të larmishme që iu ofrojnë të njëjtat prgrame, me të njëjtat standarte, si në vendet e Europës dhe kjo është e mundur përmes ndërkombëtarizimit dhe më vjen mirë edhe këtu, ashtu sikundër edhe në universitete e tjera, numri i studentëve dhe numri i pedagogëve që përfshihen në programe ndërkombëtare vjen duke u rritur. Janë shumë marrëveshje të bëra nga unversitetet sidomos në vitin e fundit, pasi ne kemi shpallur ndërkombëtarizimin si prioritet, dhe kemi bashkëpunuar me rektorët, kemi bashkëpunuar me ministritë përkatëse të Arsimit, të Shkencës ne vende të ndryshme të Europës. Kemi organizuar takime të përbashkëta për të nxitur pikërisht këtë proces. Është bërë e mundur që të krijohen më shumë mundësi, të krijohen më shumë hapësira dhe besoj që në këtë rrugë, do të mund të shohim vit pas viti fryte të reja.
Ajo që dua të theksoj po ashtu është rritja e ndjeshme e pjesëmarrjes dhe e shkallës së suksesit të universiteteve në programet europiane gjë që u jep mundësi stafeve universitare dhe ekipeve akademike të universiteve, të mund të përfitojnë financime prej të cilave të rrisin edhe te ardhurat e tyre në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga të ardhurat shkencore. Janë financime për të cilat për shumë kohë në të shkuarën Shqipëria mbetej gjithmonë në bisht si rezultat i mosfunksionimit, keqorganizimit, dhe mos reformimit të univesiteteve, por besoj qe me reformën e arsimit të lartë, me hapat që po hidhen jo pa vështirësi, por sidoqoftë në mënyrë sistematike, po krijohen disa zakone të reja po themi, për ta parë veten universiteti si pjesë e një rruge ku nuk mund të pritet gjithçka që të vijë nga qeveria dhe nga shteti po ku shumëçka duhet të vijë nga organizimi i brendshëm, nga forcat e brendshme, nga ndërverprimi me universitetet e tjera.
Në kemi arritur diçka shumë të rëndësishme së fundmi me BE që e kemi konkretizuar në Samitin e Tiranës me BE për aksesimin nga universitetet tona të rrjetit të Arsimit të Lartë Europian, gjë që i jep mundësi universiteteve të përfshihen në projekte dhe në programe njësoj si unviersitetet europiane pa pritur që Shqipëria të bëhet anëtare e BE. Kjo është një arritje jashtëzakonisht e rëndësishme që hap perspektiva të gjëra për universitetin dhe që universiteti duhet t’i shfrytëzojë patjetër sa më mirë pa humbur kohë.
Përsa i përket Universitetit të Vlorës në mënyrë specifike dhe nevojave, kërkesave tuaja, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi, jo vetëm të vëmendshëm, por edhe të gatshëm që të mbështesim universitetin me të gjitha mundësitë që kemi kështu që të gjitha gjërat siç janë zgjidhur një pjesë e tyre, do vazhdojnë të zgjidhen hap pas hapi, përfshirë edhe nevojën për infrasrukturë, për hapësira të tjera, për laboratore, e kështu me radhë.”-tha Rama në fjalën e tij.
Top Channel