Erdogan i bën homazhe idhullit të tij islamik, para votës finale të së dielës (fotot)

27/05/2023 18:51

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri homazhe sot në mauzoleumin e Adnan Menderes në Stamboll, duke kujtuar pararendësin e tij islamik në një tentativë për të mbledhur ndjekësit e tij te vota.

Menderes u gjykua dhe u var në litar një vit pas tentativës së grusht-shteti në 1960 kur Turqia iu rikthye rrugës laike politike.

Edhe Erdogan i mbijetoi një grushti shteti kundër partisë së tij me rrënjë islamike në vitin 2016, teksa citonte më parë Menderes në raundin e parë të zgjedhjeve më 14 maj.

Duke folur për të pranishmit në mauzoleum, Erdogan tha se “nesër do të shkojmë në zgjedhje dhe shpresojmë t’i themi botës se epoka e juntave dhe grushteve të shtetit ka marrë fund.

Erdogan ka thënë më parë se dëshiron të vijojë luftën e nisur nga Menderes për të drejtat fetare e nacionaliste.

Në votën e parë të dy javëve më parë Erdogan mundi rivalin e tij laik Kemal Kilicdaroglu me rreth pesë përqind të votave më shumë.

Por ai nuk arriti pragun prej 50-përqind që të eliminonte përballjen direkte që kryhet me votën të nesërme.

Opozitari Kilicdaroglu ka fokusuar fushatën në çështje më imediate si largimi i refugjatëve dhe forcimi i sigurisë territoriale turke.

Në një program televiziv ai akuzonte dje Erdogan se ka bllokuar shpërndarjen masive të mesazheve elektorale të tekstit për votuesit.

FOTO GALERI
1/5
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri homazhe sot në mauzoleumin e Adnan Menderes në Stamboll

Top Channel