Tensionet në veri të Kosovës/ SHBA kritikon autoritetet kosovare për qëndrimin, BE dënon përleshjet

26/05/2023 21:58

Dita e parë e punës për kryetarët e tre komunave veriore u përcoll me rezistencën e komunitetit serb. 

Kur kryetari i komunës së Zveçanit Ilir Peci shkoi për të hyrë në objekt u ndez edhe alarmi i sigurisë në ketë komunë.

Para objektit qytetarët serbë tentuan të bllokonin futjen e kryetarit brenda objektit. Atë e bënë me gurë dhe gjësende të forta, madje u dëgjuan edhe krisma nga armët e zjarrit.  Për shkak që një grumbull i qytetarëve serbë refuzonin të lejonin hyrjen e kryetarit në komunë policia përdori metoda për shpërndarjen e tyre.

E njëjta situatë mbizotëroi edhe në Leposaviq. Qytetarët u grumbulluan e sulmuan policinë e Kosovës që e shoqëronte kryetarin e kësaj komune, Lulzim Pecin.

Gjuajte me gurë e të shtëna me armë pati në këtë komunë e policia u detyrua të përdorë gaz lotsjellës për të shpërndarë masën.  Orët e pasdites situata është qetësuar në të tre komunat e banuara me shumicë serbe.

Kryetarët e komunave në orët e mbrëmjes përfunduan punën.  Përgjatë rrugës që lidhë komunën e Zveçanit me atë të Leposaviqit, njësitet e KFORit u shtuan.

Situata e krijuar me marrjen e objekteve nga kryetarët e rinj të komunave ka nxitur reagime të shumta.

Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken, e kritikoi qeverinë e Kosovës për hyrjen me dhunë në ndërtesat komunale në veri të vendit dhe i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin.

Blinken tha në një deklaratë se veprimet e Kosovës bien kundër me këshillat e SHBA-së dhe të Evropës dhe “i kanë përshkallëzuar tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ato do të kenë pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffry Hovenier, deklaroi se “Shtetet e Bashkuara i dënojnë veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”.

Edhe Senatori amerikan, Chris Murphy, i cili në fillim të javës ishte për vizitë në Kosovë, deklaroi se për zhvillimet e së premtes në veriun e Kosovës, ka biseduar në telefon me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet.

Edhe Bashkimi Evropian, dënoi përpleshjet e policisë dhe serbëve në veri, duke thënë se “të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të shtensionuar situatën dhe të rivendosin qetësinë menjëherë”.

“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm përplasjet në mes të Policisë së Kosovës dhe protestuesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur që të hyjnë në objektet komunale. I dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX-it. EULEX duhet të lejohet të kryejë mandatin e tij paqësisht. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të shtensionuar situatën dhe të rivendosin qetësinë menjëherë. BE-ja s’do të pranojë asnjë veprim të mëtejmë të njëanshëm apo provokues dhe ruajtja e paqes dhe siguria në terren duhet të jenë prioritet”, thuhet në reagimin e BE-së.

Ndërkohë, nga qeveria e Kosovës thotë se kryetarët e zgjedhur të komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, të banuara me shumicë serbe, “e kanë detyrim ligjor të fillojnë punën menjëherë” dhe se “institucionet publike kanë detyrim që të sigurojnë kushtet që ata të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre”.

Po ashtu, vendet e QUINT kanë reaguar në lidhje me sulmin e serbëve të cilin e kanë dënuar dhe urdhëruar të ndalohet sa më parë. Deklarata e përbashkët nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar: “Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in. Dënojmë sulmet ndaj EULEX-it në Zveçan. Jemi të shqetësuar nga vendimi i Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale, duke shmangur retorikën nxitëse.”-thuhet në deklaratë.

Policia e Kosovës nxori edhe komunikimin zyrtar për atë çka ndodhi sot:

Ashtu siç është bërë e ditur përmes njoftimeve zyrtare, sot Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese ka asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok,  për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale.

Qëllimi primar i Policisë së Kosovës ka qenë asistimi dhe ofrimi i sigurisë ndaj kryetarëve të komunave, mundësimi i realizmit të drejtave të tyre legjitime në vendin e punës dhe siguria e lëvizjes së lirë të të gjithë personave pa dallim. Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ishin tubuar pranë objekteve komunale, me qëllim të pengimit dhe moslejimit të hyrjes së zyrtarëve në objektet e komunave. Policia e Kosovës duke e njohur të drejtën e qytetarëve për të protestuar e shprehur pakënaqësitë e tyre në formë të drejtë, paqësore e të ligjshme, ka komunikuar disa herë me të njëjtit dhe ka kërkuar lirimin e hyrjes në objekte, lejimin e hyrjes së kryetarëve në vendet e punës, e të mos cenojnë të drejtat legjitime të tyre.

Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare.

Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale. Kryetarët e komunave pas veprimeve policore, kanë hyrë në objektet komunale, në vendet e tyre të punës.

Si pasojë e sulmeve pesë (5) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar katër (4) automjete zyrtare, njërës prej tyre iu ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në tersi, janë dëmtuar disa vetura civile përfshirë të gazetarëve, si dhe tri (3) vetura të EULEX-it. Po ashtu në disa raste në lokacione të ndryshme janë dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë.Individë/grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavor/gurë dhe mjete të rënda transportuese.

Policia e Kosovës me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ka marrë masa për largimin e tyre dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente. Mjetet transportuese janë larguar, rrugët janë të lira për qarkullim, përderisa Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme policore.

Sikurse në çdo rast, hetimet dhe veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, për rastin e  cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues & Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”. Situata tani është qetësuar, Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që mund të paraqiten në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA