Pesë anëtarë të Policisë së Kosovës janë lënduar në Zveçan, pas situatës së tensionuar që është krijuar nga serbët atje.
Mediat e Kosovës bëjnë me dije se lajmi është konfirmuar nga vetë Policia e Kosovës, ku ka bërë të ditur se ka angazhuar njësitet relevante policore, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe rrethanave të krijuara nga ana e qytetarëve të tubuar, të cilët pengonin organet e rendit dhe zyrtarët shtetëror në ushtrimin e së drejtës së tyre legjitime.
Policia ka konfirmuar se protestuesit në Zveçan kanë filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë, duke lënduar pesë zyrtarë policorë e duke dëmtuar katër automjete.
Zyrtarët e rendit publik vazhdimisht kanë biseduar me qytetarët e tubuar, duke kërkuar që të të largohen dhe të mos pengohet puna e zyrtarëve shtetëror, të lirohet rruga dhe të lejohet hyrja e tyre në vendet e punës, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar në vazhdimësi.
“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore. Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë.”, ka njoftuar Policia.
Në komunikatë thuhet se njësitet policore relevante në vetëmbrojtje janë detyruar të reagojnë dhe të përdorin mjetet e ligjshme siç është gazi lotsjellës, për të shpërndarë turmën si dhe për t’u mundësuar kryetarëve hyrjen në objekte.
Është bërë e ditur lidhur me veprimet e deritanishme Policia ka bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me organet e drejtësisë, të cilët rastin e kanë cilësuar si “Sulm Kundër Rendit Kushtetues”.
Top Channel