Deklarata e Berishës: Vrasësi i grave Dan Hutra mblodhi vota për Rakip Sulin, një rruge në Kamëz do t’i vihej emri i tij

26/05/2023 12:32

Sali Berisha, në daljen për mediat këtë mesditë, foli sërish për votat që pretendon se janë vjedhur në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Këtë herë, demokrati që në zgjedhje garoi si pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u ndal te Kamza, ku u shpreh se kandidati socialist Rakip Suli që fitoi zgjedhjet, ka blerë vota. Një nga njerëzit që e ka ndihmuar, thotë Berisha, duke cituar mesazhin e një qytetari në rrjetet sociale, ka qenë Dan Hutra, vrasësi i tre grave në muajin mars.

“Do ju sjell mesazhin e një qytetari nga Kamza: Zoti Berisha, do ju vë në dijeni të një fakti kriminal të masakrës elektorale në Kamëz. Vrasësi famëkeq i grave, Dan Hutra, ishte punësuar në ujësjellësin e Kamzës në këmbim të mbledhjes së votave për Rrakip Sulin.

Vrasësi i grave, natën vidhte banesa, kurse ditën vidhte vota dhe kërcënonte me jetë demokratët që të mos dilnin në votime.

Pas masakrës ndaj grave, Rakip Suli ka zhdukur dosjen e Dan Hutrës. Ka dëshmi dhe fakte se Dan Hutra drejtonte një nga bandat kryesore të mbledhjes së votave për Rakip Sulin”.

Madje, thotë Berisha, duke lexuar mesazhin e qytetarit digjital, një rruge në Kamëz do t’i vihet emri i Dan Hutrës, por propozimi i zhduk shumë shpejt.

“Në Këshillin Bashkiak të Kamzës, ka pasur propozim për t’i vendosur emrin e Dan Hutrës një rruge në Kamëz. Propozimi është zhdukur me shpejtësi nga banda e Bashkisë së Kamzës. Rakip Suli i kishte dhuruar Dan Hutrës në pallatet që po ndërton Arben Maloku, që ka bërë një masakër me votat e Zall Herrit.

Dan Hutra figuronte patronazhist i PS-së, kreu i një grupi kokaine në Holandë. Kishte nisur të pastronte paratë në ndërtim. Sot kontrollon trafikun e drogës dhe votave nga burgu. I vetëm i burgosur që shpenzon deri në 5 milionë lekë në muaj. Praktikisht Dan Hutra është drejtori i burgut të Rilindjes”.

Top Channel