Ministri i jashtëm maqedonas Bujar Osmani, i cili është kryesuesi i radhës i OSBE-së, ndodhet në Prishtinë për një vizitë zyrtare, gjatë së cilës është pritur fillimisht nga homologia Donika Gërvalla – Shwarz.
OSBE-ja e mbështet plotësisht dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, u shpreh Osmani, i cili apeloi në të njëjtën kohë për uljen e tensioneve. Duke kujtuar marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, kryediplomati maqedonas e vuri theksin tek ecja përpara drejt BE-së.
“Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera, ndërsa duhet të vazhdojmë me dialogun pozitiv dhe jemi dakorduar që të kemi investime të përbashkëta. Kemi shqyrtuar mundësitë e ndryshme, duke filluar nga ato politike dhe shoqërore. Sa më shpejt të inkuadrohemi në BE, aq më e mirë do të jetë perspektiva për të dy vendet. OSBE dhe institucionet e Kosovës kanë bërë progres të dukshëm në promovimin e institucioneve funksionale dhe demokratike”, u shpreh ai.
“Sa më shumë që e rrisim bashkëpunimin rajonal, aq më shumë e ulin çështjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve. Dialogu në rajonin tonë është dëshmuar të jetë i frytshëm, në Maqedoninë e Veriut na ka dhënë një mënyrë të mirë për të ecur përpara. Pavarësisht sfidave nuk duhet të ndalojmë të flasim për gjërat që janë të rëndësishme”, deklaroi Osmani. Ai u prit në një takim edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa më vonë do të takohet edhe me kreun e qeverisë Albin Kurti.
Top Channel