​Policia e Kosovës: Situata në veri tani është qetësuar, të përkushtuar për sigurinë e të gjithëve

26/05/2023 22:55

Policia e Kosovës ka njoftuar se situata në veri është qetësuar, ndërsa do ta vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin në ofrimin e sigurisë për të gjitha qytetarët pa dallim.

Policia përmes një komunikate të premten ka theksuar se ka ndërmarrë të gjitha masat policore për të parandaluar çdo veprimtari kriminale që mund të paraqitet.

“Situata tani është qetësuar, Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që mund të paraqiten në vend”, thuhet në njoftim.

Policia edhe një herë ka bërë të ditur se u kanë bërë thirrje vazhdimisht qytetarëve të mbledhur në komunat veriore, kërkesat të cilat nuk janë përfillur prej tyre.

“Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveçan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare. Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale. Kryetarët e komunave pas veprimeve policore, kanë hyrë në objektet komunale, në vendet e tyre të punës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pesë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar katër automjete zyrtare, përfshirë një e djegur, janë dëmtuar vetura civile, përfshirë të gazetarëve dhe tre vetura të EULEX-it.

“Po ashtu në disa raste në lokacione të ndryshme janë dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë. Individë/grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavor/gurë dhe mjete të rënda transportuese. Policia e Kosovës me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ka marrë masa për largimin e tyre dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente”, ka njoftuar Policisë.

Mjetet transportuese janë larguar, sipas Policisë, rrugët janë të lira për qarkullim, përderisa autoritetet kanë angazhuar njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme policore.

Rasti është cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues & Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA