PS dhe PD, votuan bashkë pagat! Ligji u miratua me 95 vota pro dhe vetëm 3 kundër

25/05/2023 19:37

Është miratuar nga parlamenti projektligji për rritjen e pagave në administratën publike sikurse edhe ato të deputetëve dhe ministrave.

Shumica socialiste në këtë votim me 97 vota pro mori mbështetjen edhe të grupit parlamentar të PD tashmë të udhëhequr nga Gazment Bardhi.

Votuan kundër deputetët Bujar Leskaj dhe Petrit Doda. Ndërsa abstenuan 4 të tjerë nga opozita. Vetë Berisha me deputetët që e mbështesin nuk morën fare pjesë në votim.

Sikurse edhe në votimet e shkuara Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda bashkuan votat me socialistët.

Kundërshtimeve të ligjvënësve mbështetës të Sali Berishës për rritjen e pagës së deputetëve dhe ministrave, Edi Rama e quajti si “një hipokrizi për të vënë duart në kokë dhe i sfidoi.

Hajde vendoseni pagën minimale këtu për deputetët. Deputetët të paguhen me pagë minimale. Gati jam unë! Edhe ministrat! Hajde! Për deputetët dhe për ministrat paga duhet të hyjë në fuqi dhe duhet të vijë në llogaritë e secilit vetëm kur të jetë bërë për të gjithë.”-tha Rama.

Sali Berisha i qëndroi stoik kundërshtisë për rritjen e pagës së deputetëve dhe ministrave.

Kam qenë dhe do jem gjithnjë për rritjen e rrogave, kjo nuk ka diskutim. Nëse ka një faktor shkatërrimtar për këtë vend, kjo është ngrirja e rrogave. Por sot kjo farsë, ky akt ku dyfishohen rrogat e zyrtarëve më të lartë dhe rriten me 1 përqind ose zbresin- se kjo është përllogaritja me inflacionin e INSTAT, se me përllogaritjen e EuroStat, rënia është më e madhe se kaq.”-tha Berisha.

Por në debutimin e tij të parë si kreu grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi mbajti një qëndrim ndryshe nga Berisha.

Nuk ka asgjë të pamoralshme as të rrisësh rrogat e administratës, as të rrisësh rrogat e deputetëve, as të rrisësh rrogat e ministrave. E pamoralshme dhe e paligjshme është vjedhësh me tendera dhe të drekosh e darkosh me kriminelë”-tha Bardhi.

Kam marrë vendimin që shtesa e pagës që përfitoj nga rritja si deputet deri në fund të mandatit tim do të shkojë për shoqatën e jetimëve në qytetin e Peqinit”-tha deputeti Sula.

Vdeksha ynë për ty që do ia çosh shtesën e pagës jetimores ti! Vdeksha unë për ty, jetimi im i dashur!”-u përgjigj Rama.

Top Channel