Zbulohen të dhënat e para në lidhje me “rënien e zjarrit” në drejtorinë e SHISH Elbasan.
Nga burime jo zyrtare, gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, raporton se tymi i parë pasditen e sotme nga godina e SHISH është shkaktuar nga djegia e miratuar e një kompjuteri dalë jashtë funksionit.
“Është e paqartë se përse duhej të digjej i gjithë komjuteri kur sipas protokollit të asgjesimit të SHISH për pajisje komjputerike parashikohet vetëm djegia e Harddrive trurit të komjuterit ku ruhet gjithcka që është shkruar në atë kompjuter” -thotë gazetari Muhamed Veliu.
Edhe sikur zjarri të ishte i qëllimshëm apo ndodhur aksidentalisht nga ndonjë shkëndijë elektrike mundësia e zhdukjes së dokumenteve sekrete është pothuajse zero.
Një burim në SHISH i tregoi gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu, mënyrën e ruajtjes së dokumentacionit në inteligjencën shqiptare si në aparatin qendror në Tiranë dhe drejtoritë rajonale.
“Dokumentacioni zor se preket pasi ruhet në kasaforta që janë me sistem sinjalizimi e antizjarr. Një kopje elektronike e ka ai që e prodhon. Pastaj kalon të paktën tek 2-3 drejtues të drejtorisë në bazë. Më pas shkon në qendër ku mund ta posedojnë dhe vlerësojnë edhe nja 4-5 punonjës të tjerë para se te shkojnë në Drejtorinë e Analizës. Dokumentat ruhen elektronikisht edhe në te paktën 2 sisteme të koduara e tepër të sigurta njohur si rrjeti i brendshëm“- deklaroi në kushtet e anonimatit burimi në SHISH.
I njëjti burim shpjegoi mënyrën e asgjesimit të dokumenteve apo edhe të kompjuterave.
“Nëse bëhet fjalë për djegie dokumentash të printuara gabim apo dokumenta jo të klasifikuara, të pavlefshme, ato zakonisht digjen në tip sobash apo vende të tjera të përshtatura, jashtë zyrave. Ndërsa asgjësimi i dokumentave tē deklasifikuara, me kalim afati apo pa vlerë, bëhet po në ato vende, me procesverbal e komision të përbërë të paktën nga 3 punonjës të SHISH“.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu raporton se një muaj më parë Drejtoria e Sigurimit të Personelit tashmë nën drejtimin e një drejtori të ri B.S ushtroi një inspektim te befasishëm në drejtorinë e SHISH Elbasan.
Nga informacionet e dhëna sugjerohet se inspektimi lidhet me perfomancën e kësaj drejtorie, në dhënien informacion prokurorisë dhe policisë lokale për krimin e organizuar në këtë qytet.
Nuk përjashtohet pista e një hetimi të brendshëm nga DSP në SHISH për persona me poste drejtuese në drejtorinë lokale të Elbasanit vënë nën dyshimin e kalimit të informacionit ndër vite, dy organizatave kriminale në këtë qytet.
Top Channel