Avancimi i agjendës së reformave evropiane, bashkëpunimi institucional në sundimin e ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe sigurisë energjetike, dhe integrimi rajonal ishin çështje me theks të veçantë në takimin ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili vizitoi Kosovën.
Kryeministri Kurti e njoftoi komisionerin Várhelyi me rezultatet e qeverisjes, veçanërisht në rrafshin ekonomik dhe atë demokratik, arritje këto që në vazhdimësi po evidentohen nga raportet ndërkombëtare, siç bënë së fundmi ai i Bankës Evropian për Ndërtim dhe Zhvillim që parasheh se Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor për vitet 2022 dhe 2023, dhe raporti i Freedom House “Vendet në Tranzicion 2023”, në të cilin Kosova sivjet ka marrë vlerësimin më të lartë ndonjëherë për cilësinë e demokracisë.
Zyra e Kryeministrit njofton se komisioneri Varhelyi u shpreh i impresionuar me rezultatet e arritura dhe theksoi se liberalizimi i vizave është si rezultat i luftës së korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Bashkë, ata diskutuan për të gjeturat e Raportit të Vendit për këtë vit, i cili konfirmon se Kosova ka shënuar progres në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe ka intensifikuar aktivitetet legjislative, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e përshpejtimit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti ftoi komisionerin evropian edhe për më shumë bashkëpunim, sidomos në reformën në sistemin e drejtësisë, teksa u shpreh falënderues për ndihmën e vazhdueshme financiare të Bashkimit Evropian në shumë fusha, sidomos së fundmi në tejkalimin e krizës energjetike.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, sot ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot dhe atë të Italisë, Antonello De Riu lansuan Programin EU-Kosovo Home Affairs. Ky program i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë euro do të zbatohet në një periudhë tre vjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Top Channel