Siç edhe Top Channel ekskluzivisht raportoi të martën, tashmë është zyrtare arritja një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj angleze për tranferimim e të burgosurve.
Në deklaratën e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj angleze thuhet se 200 të burgosur shqiptarë në burgjet e Anglisë dhe Uells që vuajnë dënime prej katër vjetësh ose më shumë do të kthehen në dy vitet e ardhshme për të kryer pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare.
Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë, i cili udhëhoqi negociatat disa mujore me palën angleze, në përfundim të mbledhjes së qeverisë tregoi qëllimin dhe detajet e marrëveshjes.
Manja: Marrëveshje teknike që plotëson marrëveshjen e ratifikuar në kuvend në 2021. Marrëveshja e arritur tani ka si qëllim kryesor dhe udhëhiqet nga parimet e humanizmit. Të vinë e ta vuajnë pjesën e dënimit pranë familjarëve. Kemi shumë shqiptarë të dënuar atje që prej shumë vitesh nuk kanë kontakt me familjarët. Marrëveshja nuk krijon asnjë kosto për buxhetin e shtetit efektivisht për drejtorinë e përgjithshme të burgjeve. Të gjitha shpenzimet dhe kostot do të përballohen nga pala britanike për çdo ditë të qëndrimit dhe vuajtjes së dënimit në Shqipëri.
Ndërsa Sekretari britanik për çështjet e drejtësisë Alex Chalk deklaroi: I jam mirënjohës homologut shqiptarë Ulsi Manja për përpjekjet e tij në forcimin e parneritetit tonë për cështjet e drejtësisë. Publiku në Angli ka pritshmërinë se kriminelët e huaj duhet të vuajnë dënimet në vendet e tyre të origjinës dhe jo në burgjet tona me koston e takspaguesve anglez .Kjo marrëveshje përshpejton procesin e largimit të tyre.
Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë angleze pyetur nga Top Channel se sa është numri aktual i shqiptarëve në burgjet angleze tha se “të dënuar shqiptarë apo në pritje të dënimeve janë në total 1522 shqiptarë mes tyre 6 femra.
Në mesin e 1522 shqiptarëve në burgjet angleze, 15 prej tyre janë të dënuar me burgim përjetë për vrasje.
Në deklaratën për median Ministria a Drejtësisë thotë:
“Në vijim të komunikatës së përbashkët të nënshkruar nga Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak në dhjetor 2022, si dhe pas diskutimeve që dy liderët zhvilluan në Londër në mars 2023, Shqipëria do të fillojë implementimin e marrëveshjes për transferimin e të burgosurve.
Kështu, 200 të burgosur shqiptarë në burgjet e Anglisë dhe Uells që vuajnë dënime prej katër vjetësh ose më shumë do të kthehen në dy vitet e ardhshme për të kryer pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare.
Falë marrëveshjes, pala britanike do të paguajë kostot e strehimit të të burgosurve për gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit të tyre në vendin tonë dhe Shqipëria do të mund të rrisë investimet për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në sistemin e burgjeve.
Ndërkohë që u japim mundësinë të dënuarve shqiptarë në Britaninë e Madhe, të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit pranë familjeve të tyre, Shqipëria do të mund të fuqizojë edhe më tej kapacitetet e sistemit penitenciar”.
Top Channel