Vrasja e Arjan Gosës në Kavajë/ Arrestohet bashkëpunëtori i vrasësit, ndihmoi Habib Rexhën të largohej nga vendngjarja

24/05/2023 10:41

Një 29-vjeçar, që dyshohet se ka ndihmuar vrasësin e Arjan Gosës në Kavajë të largohej nga vendngjarja pasi kreu krimin, është vënë sot në pranga.

Sipas policisë, shtetasi me iniciale E.K. ka shkuar pranë lokalit ku Habib Rexha vrau Gosën dhe e ka marrë me makinë, pas atentatit.

Automjeti u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Një ditë më parë, në polici u vetëdorëzua autori Habib Rexha. Në dëshminë e tij, autori ka deklaruar se vrasjen e Gosës nuk e kishte planifikuar, por e ka kryer në gjaknxehtësi e sipër.

Sipas dëshmisë së dhënë në polici, ai ka qenë me shokun e tij kur ka parë Arjanin të ulur në lokal përbri shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë.

31-vjeçari ka deklaruar se pasi e ka parë shënjestrën, është zhvendosur me makinë rreth 200 metra më tutje, ku ka lënë mjetin dhe është kthyer në këmbë bashkë me armën që e mbante në makinë.

“Veprova nga gjaknxehtësia. E qëllova dhe pastaj u largova në drejtim të Durrësit për të shkuar në Kukës”, ka deklaruar në polici Rexha.

Viktima u vra ndërsa ndodhej në lokal së bashku me babanë e tij të moshuar, dëshmia e të cilit është pjesë e dosjes hetimore për ngjarjen. Babë e bir ishin ulur në pjesën e jashtme të lokalit dhe po ndiqnin një ndeshje futbolli. Të dy kanë qenë me kurriz nga rruga, ndaj nuk e kanë parë autorin kur ka hyrë në lokal.

“Ishim duke parë ndeshjen. Dëgjova vetëm një krismë dhe e pashë djalin që ra në tokë dhe dikë që iku me vrap”.

I tronditur nga gjithçka përjetoi në moshë të thyer, Osman Gosa nuk e kishte menduar se do të humbiste dhe djalin tjetër si pasojë e krimit në të cilin u përfshi i biri Edmondi dhe që i mori jetën. Vëllai i Habibit, Altin Rexha u qëllua nga Edmond Gosa në prani të djalit të mitur, teksa po kthehej në shtëpi me të.

Meqë të dyja palët e përfshira në konfliktin e 29 marsit, Edmond Gosa dhe Altin Rexha vranë njëri-tjetrin, familja Gosa nga Kavaja nuk e kishte dyshuar hakmarrjen që nuk vonoi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA