Jo vetëm argjentinas, Mancini fton edhe një brazilian tek Italia

24/05/2023 20:35

Kombëtarja italiane është pjesë e “Final Four” në Nations League.

Të kaltrit do të sfidojnë Spanjën në gjysmëfinalen e 15 qershorit, ndërkohë që dueli tjetër është ai mes Holandës dhe Kroacisë. Ndeshje që do të transmetohen në SuperSport.

Roberto Mancini grumbulloi Mateo Reteguin për duelet e muajit mars të eliminatoreve të Euro 2024. Sulmuesi argjentinas aktivizohet me Tigre në vendlindje, ndërkohë që origjina e prindërve të tij është italiane.

23-vjeçari pranoi me kënaqësi ftesën për të veshur fanellën e katër herë kampionëve të botës dhe debutoi me gol me Italinë. Mancini nuk rresht së surprizuari dhe risia e radhës është një italio-brazilian.

Lucas Piton ka lindur në Brazil, por ai zotëron edhe pasaportë italiane. 22-vjeçari është pjesë e Vasco da Gama, ekip ku luan si mbrojtës i majtë. Një anësor modern që bën mirë të dy fazat.

Piton numëron pesë asiste, duke qenë lojtari me numrin më të madh të pasimeve për gol te Vasco. Mancini e ndjek prej kohësh dhe beson shumë te kualiteti dhe potenciali i tij.

Klubi brazilian ka njoftuar grumbullimin e lojtarit nga Mancini me anë të një komunikate zyrtare. “Anësori i majtë, Lucas Piton është grumbulluar nga Italia për ndeshjet e ‘Final Four’ të Nations League, që do të zhvillohen në Holandë”, shkruan Vasco da Gama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA