Interi fiton Kupën e Italisë për edicionin e dytë radhazi. Dhe për herë të nëntë në histori, duke barazuar Romën.
Në krye qëndron Juventusi me 14 Kupa Italie. Skuadra e Simone Inzaghit iu fal dygolëshit të Lautaro Martinez për të thyer 1-2 Fiorentinën. Skuadra nga Firence kaloi në avantazh në minutën e tretë me anë të Nico Gonzalez.
Por, zikaltrit përmbysën gjithçka brenda fraksionit të parë falë dy golave të bukur të Lautaro Martinez (29’, 37’). Interi pati edhe fatin me vete, pasi FIorentina dominoi fraksionin e dytë të sfidës dhe humbi shumë raste për golin e barazimit. Në fund 1-2 dhe festë zikaltër në “Olimpico” të Romës.
KUPA E ITALISË
FINALE
FIORENTINA-INTER 1-2 (Nico Gonzalez 3′ / Lautaro Martinez 29′, 37′)
Kronika e ndeshjes:
82′ Sërish Luka Jovic. Goditja me kokë e sulmuesit të Fiorentinës kalon ngjitur me shtyllën. Me fat Interi.
79′ Fiorentina “flirton” me golin. Rast i shkëlqyer për Luka Jovic, pritje fantastike e Samir Handanovic.
75′ Fiorentina në kërkim të golit të barazimit. Tenton edhe kapiteni Biraghi, topi mbi tra.
73′ Aksion i bukur i Fiorentinës. Nico Gonzalez shkarkon të djathtën, grushton Samir Handanovic.
37′ Gooooooool! Sërish Lautaro Martinez. I jashtëzakonshëm sulmuesi argjentinas, i cili realizon një gol të bukur. 1-2 për Interin.
29′ Gooooooool! Interi barazon rezultatin. Asist i Marcelo Brozovic, goli i Lautaro Martinez, i cili ndez festën zikaltër në kryeqytet.
24′ Interi pranë barazimit. Lautaro Martinez nis bukur Edin Dzekon. E pabesueshme çfare humbet sulmuesi boshnjak!
18′ Presing lart i Fiorentinës, që i afrohet golit të dytë me Nico Gonzalez.
3′ Goooooool! Asist fantastik i Ikone, gol i Nico Gonzalez. Fiorentina në avantazh, shpërthen festa e tifozëve nga Firence në “Olimpico”.
Publikohen formacionet zyrtare të finales së Kupës së Italisë. Fiorentina dhe Interi do të përballen mes tyre në “Olimpico”, duke nisur prej orës 21:00. Sfida do të transmetohet në SuperSport 2.
Skuadra nga Firence synon trofeun për herë të shtatë në histori. Ndërkohë që zikaltrit tentojnë ta dërgojnë trofeun në Milano për herë të nëntë.
Trajnerët Vincenzo Italiano dhe Simone Inzaghi kanë zgjedhur “luftëtarët” e finales së madhe. Kristjan Asllani do ta nisë nga pankina për Interin, ndërkohë që Marcelo Brozovic e fillon nga minuta e parë.
Kroati zëvendëson armenin Mkhitaryan e dëmtuar, dhe do të formojë treshen qendrore të mesfushës me Nicolo Barellën dhe Hakan Calhanoglu.
Top Channel