Megjithatë mbetën dhjetëra dosje që SPAK vijon ti shqyrtojë. Fjala është për çështje të natyrave të ndryshme që konsiderohen të rëndomta nëse kemi parasysh misionin për të cilin u krijua SPAK.

“Por dy nga më tipiket dhe nga më flagrantet lidhen me fushën e prerjes së paligjshme të pyjeve. Njëri rast shtetasi në fjalë është i shpallur në kërkim. Ai mori iniciativën për ta denoncuar korrupsionin pas kërcënimeve të një punonjësi të thjeshtë për ti paguar shumën e parave në mënyrë që ti lironte ngarkesën e druve që e kishte realizuar dhe e kishte marrë në disa pika të ndryshme. Ai denoncoi në Durrës, Durrësi shpalli moskompetencë sapo pa korrupsionin, dhe nisi pingpongu i çështjes. Ky shtetas vazhdon të jetë në kërkim dhe çështja vijon të gjykohet”, tha Anila Hoxha.

Inside Story disponon fashikullin e gjykimit të Porkurorisë së Posaçme ku të akuzuar janë tre persona nën akuzat; “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë që ushtrojnë funksione publike” dhe “Moskallëzim krimi”.

Referuar dokumentit, Lekë Kolaj merrej me biznesin e druve. Ai blinte dru në Prosek të Mirëditës dhe i shiste në një pikë në Shën Vlash të Durrësit tek shtetasi Skënder Latifi. Ai e kryente aktivitetin në mënyrë të jashtligjshme pa patur një vërtetim për materialin drusor, por e kishte zgjidhur problemin duke paguar zyrtarin Renato Demerxhiu.

Lekë Kolaj u ndalua nga Policia në Fushë Krujë mbrëmjen e 11 marsit 2019. Ai u gjobit me 100 mijë lekë ndërsa kallëzoi inspektorin Demerxhiu për rryshfet. Për ironi shtetasi Kolaj është shpallur në kërkim edhe pse ishte iniciator i kallëzimit. Kjo, pasi në kuptim të ligjit ishte pjesë e korrupsionit për sa kohë kishte paguar për shërbimin në mënyrë që të shpëtonte nga veprimet dhe masa administrative.

“Rasti i dytë më flagrant dhe akoma më i rëndë që vazhdon të jetë nën hetim lidhet me dy familjarë nga Gramshi. Njëri prej tyre është i moshuar 74 vjeç dhe djali i tij. I moshuari konstatohet nga policët e shërbimit pyjor që transportonte një ngarkesë me dru të prera në mënyrë të paligjshme dhe i sekuestrohet automjeti sëbashku me turrën e druve. Për paradoks edhe pse ka kaluar kohë vijon të jetë i sekuestruar dhe qytetari për shkak të rrethanave ekonomike vijon lëvizjet e tij që në kuptim të ligjit janë akte korruptive kërkon të paguajë për heqje e sekuestros së automjetit. Nuk ka se si të vijojë të hetohet nga Prokuroria e Posaçme qëllimi i të cilës ishte tjetër gjë”, u shpreh Anila Hoxha.

Ish Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani thotë se SPAK u krijua sipas modelit të anti mafias italiane dhe nuk duhet të funksiononte në mënyrën se si funksionon aktualisht. Problemi qëndron tek cilësia dhe niveli i të hetuarve. Deri sot, është bërë kujdes për sasinë, duke shpenzuar energji pa fund në çështje të rëndomta si ajo e druve të 74-vjeçarit.

Top Channel