I shpëtoi skllavërisë, e reja në “mision” për të shpëtuar sa më shumë mes 50 milion të bllokuarve në të gjithë botën

24/05/2023 10:46

Kur Nasreen ishte vetëm një fëmijë i vogël, ajo pa motrën e saj 12-vjeçare të detyruar të martohej dhe nëna e saj e paralajmëroi se ajo do të ishte e ardhmja.

Në moshën rreth nëntë vjeç, me ndihmën e një kushëriri mashkull, ajo u largua nga fshati i saj i vogël rural nepalez – ajo nuk mund të thotë saktësisht sa vjeç ishte sepse lindja e saj nuk u regjistrua kurrë.

Ajo mbërriti në Katmandu, kryeqyteti i Nepalit pa asgjë – madje as një mbiemër – dhe kaloi 15 orë në ditë duke u përpjekur aqsa i rridhte djersa në fund të këmbëve për krijuar veshje në një ndërmarrje që më vonë do të dërgoheshin në dyqanet e mëdha në vendet e pasura.

Natën, ajo binte në gjumë mbi grumbujt e rrobave dhe ëndërronte se ku do të përfundonin.

“Po kërkoja lirinë dhe një jetë më të mirë dhe përfundova si një fëmijë që bënte punë të detyruar, në një nga këto dhoma të vogla në një fabrikë tekstili me gjashtë të tjerë. Ambienti ishte rregulluar lirshëm, pa dritare dhe dyer të mbyllura”, tha ajo për Sky News.

Nasreen përfundimisht i shpëtoi ciklit të skllavërisë me ndihmën e një mentori dhe mori mbiemrin Sheikh – që në arabisht përkthehet si ‘Shefi i fisit’. Tani ajo punon si bashkëdrejtoreshë e Empowerment Collective, një grup me bazë në SHBA që ndihmon në çrrënjosjen e skllavërisë moderne duke u dhënë grave të margjinalizuara mbështetjen dhe aftësitë që u nevojiten për të siguruar vetë-mjaftueshmërinë dhe dinjitetin e tyre.

Por Indeksi i fundit Global i Skllavërisë nga organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut Ëalk Free zbuloi se më shumë se 50 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë në skllavëri moderne, të përkeqësuar nga lufta, pandemia COVID-19 dhe ndryshimet klimatike.

Dhe problemi vetëm sa po përkeqësohet, ndërsa rreth 10 milionë njerëz më shumë janë skllavëruar në krahasim me pesë vjet më parë.

Mirëpo, nëse shohim thellë në këtë tematikë, Mbretëria e Bashkuar megjithëse ka ndërmarrë veprime të mëdha për të luftuar skllavërinë moderne (e ndjekur nga Holanda dhe Portugalia), ajo mbetet bashkëfajtore. Gati dy të tretat e të gjitha rasteve të punës së detyruar janë të lidhura me zinxhirët globalë të furnizimit.

Mbretëria e Bashkuar llogaritet për 21 miliardë paund në produkte të importuara në rrezik, duke përfshirë elektronikë, peshk, veshje, tekstile dhe lëndë druri.

Njerëzit që jetojnë në vendet me të ardhura më të larta “duhet të fillojnë të bëjnë pyetje në lidhje me rrobat që keni veshur, telefonin që keni në xhep ose algat e detit që keni ngrënë mbrëmë,” tha Nasreen.

“Këto gjëra përmbajnë skllavëri.”

Si importon Mbretëria e Bashkuar mallra të prodhuara nga skllevëri

Nasreen tha se ndërsa numri i njerëzve të skllavëruar në pjesë të botës perëndimore është i ulët, statistikat sugjerojnë se 122,000 jetojnë në skllavëri moderne në Mbretërinë e Bashkuar, kjo “nuk do të thotë se skllavëria është atje“, ajo thjesht importohet.

“Puna e detyruar gjendet në vendet me të ardhura të ulëta, por është thellësisht e lidhur me kërkesën nga vendet me të ardhura më të larta. Këta njerëz janë të fshehur, të padukshëm. Ata nuk kanë zë. Ata janë aq të traumatizuar sa nuk mund të flasin vetë”, tha ajo.

Në mbarë botën, mbi gjysma e atyre në skllavërinë moderne, si Nasreen, janë femra. Një e katërta janë fëmijë. Gratë dhe vajzat janë në rrezik në mënyrë disproporcionale nga martesa e detyruar, duke përbërë 68% të të gjithë njerëzve të detyruar të martohen.

Megjithatë, vlerësimet mbeten konservatore. UNICEF sugjeron se në mbarë botën ka 650 milionë gra dhe vajza që janë martuar para moshës 18 vjeç.

Nasreen tha se motra e saj ishte “e tmerruar” dhe qante kur u detyrua të martohej. “Por të gjithë thanë, kështu shkon, kur martohen qajnë”- tha ajo.

“E pyeta nënën time pse po e detyron motrën time dhe ajo më tha që nuk është se po e bëj, kështu është kultura jonë. Kështu është shoqëria jonë, kështu më ndodhi mua, kështu ndodhi me motrën tuaj, më pas do të ndodhë me ty”– tha Nassreen.

Sipas bashkëdrejtoreshës së Empowerment Collective: “Puna e fëmijëve dhe skllavëria moderne janë kaq të normalizuara në pjesën tonë të botës. Shumë viktima nuk e shohin atë si një problem sepse edhe trauma është normalizuar.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA