Goditi tri makina, u përplas me bordurën dhe i shpërtheu goma/ Detaje nga arratisja disa minutëshe e Laert Haxhiut, para se të arrestohej

24/05/2023 10:44

Shqiptari në kërkim për vrasjen e dyfishtë në vititn 2017, Laert Haxhiu është arrestuar pas një ndjekjeje si nëpër filma nga oficerët e Janinës në shtetin fqinj.

Mediat greke thonë se gjithçka ka nisur kur efektivët e policisë i kanë bërë shenjë drejtuesit të mjetit të ndalojë në zonën e Eleuzës së Janinës. Ai nuk iu bind dhe i dha gaz makinës për t’u arratisur.

Gjatë ndjekjes, mjeti, i cili nuk ka mundur të ndalojë me sinjalin e policisë, ka përplasur tre automjete, ka ngecur në semafor dhe më në fund është ndalur kur ka përplasur një bordurë dhe ka shpërthyer një gomë, duke shkaktuar hapjen e airbagëve.

Më pas policia e ka arrestuar drejtuesin dhe dy pasagjerët e tjerë që ndodheshin me të.

Sipas ERT, nga hetimet rezultoi se një nga tre të arrestuarit ishte shqiptari, i cili kërkohej si pjesëtar i një grupi kriminal dhe akuzohej për vrasje dhe tentativë vrasjeje në Shqipëri. Gjithashtu ndaj tij ishte shpallur “njoftimi i kuq” nga Interpoli.

Laert Haxhiu ishte i  shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2017 në Lushnjë.

Ai qëndronte në shtetin fqinj me dokumente të falsifikuara. Në lejen e qëndrimit greke, ai mbante identitetin si Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.

Haxhiu i dënuar me 18 vite burg nga Gjykata e Lushnjës, pritet të ekstradohet drejt vendit tonë, ndërsa mbi të rëndojnë veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Si ndodhi vrasja e dyfishtë në vitin 2017?

Në 11 tetor të vitit 2017, Xhulio Shkurti ndodhej në një lokal së bashku me shokët Zamir Latifi, Jurgen Hoxha dhe Sajmo Xhelili. Aty afrohen me makinë dy persona të cilët hapin zjarr në drejtim të tavolinës duke lënë të vdekur në vend Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën.

Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi u nisën për të ekzekutuar Xhuljo Shkurtin, nipin e Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës. Plumbat e kallashnikovit qëlluan për vdekje Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën ndërsa shënjestra e atentatit, Xhulio Shkurti mundi të shpëtonte.

Prokurorët e SPAK konkluduan se krimi ka pasur si motiv hakmarrjen, referuar një historiku konflikti mes familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut, nisur që gjatë veprimtarisë së bandës famëkeqe të Lushnjës, në vitin 1998.

Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2020, pasi bashkë me disa persona të tjerë kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotel ‘Volorekës’ në Pogradec. Ndërkohë Orges Bilbili u kap në 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ai u plagos nga një punonjës policie pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar. Një vit më parë, GJKKO dënoi me burgim të përjetshëm Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA