Përleshje të dhunshme shpërthyen përgjatë kufirit midis Rusisë dhe Ukrainës, me Moskën që akuzoi një “grup sabotues” ukrainas për përpjekje për të shkelur territorin rus – një akuzë që Kievi zyrtar e mohoi.
Më 22 maj, në rajonin e Belgorodit u dëgjua zhurma e shpërthimeve dhe të shtënave sporadike, siç konfirmoi guvernatori lokal, Vyacheslav Gladkov. Ai deklaroi se konflikti ishte shtrirë në rrethin Graivoron të Rusisë, i cili ndan një kufi me Ukrainën.
Tetë persona janë lënduar nga luftimet deri tani dhe situata mbetet e tensionuar, tha guvernatori. Shumica e banorëve në Graivoron dhe fshatrat fqinje janë evakuuar, shtoi ai. Nuk është raportuar për viktima.
Infiltrimi në territorin rus mund të jetë potencialisht më i rëndësishmi që kur Kremlini filloi luftën kundër Ukrainës 15 muaj më parë, duke vënë në pah mungesën e përgjithshme të fuqisë punëtore në Moskë.
Një grup që e quan veten “Legjioni i Lirisë së Rusisë”, i cili pretendon se përbëhet nga rusë që bashkëpunojnë me forcat ukrainase, mori përgjegjësinë për sulmin. Qeveria ukrainase mohoi çdo rol në këtë ngjarje.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti rus Vladimir Putini ishte informuar për këtë sulm dhe se po punohej për të dëbuar “sabotuesit”.
Më vonë gjatë ditës, autoritetet ruse prezantuan një “regjim anti-terror” në Belgorod që u jep kompetenca të veçanta shërbimeve të sigurisë dhe lejon përforcimin e sigurisë, verifikimin e identitetit dhe mbikëqyrjen e komunikimeve.
Guvernatori tha se forcat speciale ruse u sollën dhe po kryenin kontrolle shtëpi më shtëpi.
Ndërkohë, Ukraina tha më 22 maj se kishte rivendosur furnizimin e jashtëm me energji elektrike në termocentralin bërthamor të Zaporizhjas, që është termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, pas një ndërprerjeje të shkurtë më herët gjatë ditës.
Rusia nisi një valë sulmesh me raketa dhe dronë në rajonin e Dnipropetrovsk gjatë natës duke shkaktuar dëme në linjën e fundit të përçimit të tensionit të lartë që çon në termocentralin bërthamor.
“Ukrenerho rivendosi linjën e përçimit të energjisë që furnizon termocentralin bërthamor të Zaporizhjas. Stacioni po kalon në furnizimin me energji nga sistemi energjetik ukrainas”, tha në një deklaratë operatori kombëtar i distribuimit të energjisë në Ukrainë, Ukrenerho.
Ishte hera e shtatë që termocentrali bërthamor funksiononte pa energji të jashtme që nga fillimi i pushtimit të Rusisë.
Situata rreth uzinës është bërë shkak për shqetësim që kur forcat ruse morën kontrollin e saj menjëherë pasi Kremlini filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Gjatë natës, forcat ruse lëshuan 16 raketa dhe 20 dronë të prodhuar nga Irani në rajonin e Dnipropetrovsk, tha komanda e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Si rezultat i sulmit, disa persona u plagosën.
Kreu i administratës ushtarake rajonale të këtij rajoni, Serhiy Lysak, tha se 15 dronë dhe katër raketa lundrimi u rrëzuan nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.
Ushtria e Ukrainës tha më 22 maj se po vazhdonte të luftonte për kontrollin e Bahmutit, pavarësisht pretendimeve nga Rusia se kishte marrë kontrollin e plotë të qytetit tashmë të shkatërruar.
Bahmuti ka qenë epiqendra e luftimeve në Ukrainën lindore, ku u shënuan viktima të shumta nga të dyja palët.
Megjithëse ekspertët ushtarakë thonë se qyteti ka pak vlerë strategjike, ai ka marrë një rëndësi të madhe simbolike si për Kievin ashtu edhe për Moskën.
Zyrtarët ushtarakë ukrainas pretendojnë se kontrollojnë një zonë “të parëndësishme” në Bahmut, por thonë se janë në proces të rrethimit të qytetit, në përpjekje për të rimarrë territorin në veri dhe jug.
Ndërkohë, forcat ukrainase thanë se vazhduan të zmbrapsnin sulmet përgjatë gjithë vijës së frontit Bahmut-Avdivka-Marinka, në rajonin e Donjeckut.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha në raportin e tij ditor se forcat e tij mposhtën 37 sulme ruse në 24 orë.
Forcat ruse kryen 52 sulme raketore dhe ajrore në objektiva ushtarake dhe civile ukrainase, tha ushtria.
Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake rajonale të Donjeckut, tha se dy civilë u vranë nga bombardimet ruse në rajon.
Në rajonin jugor të Khersonit, sulmet ruse vranë një person, tha më 22 maj Oleksandr Prokudin, kreu i administratës rajonale të këtij rajoni. /REL
Top Channel