Rinovim i rëndësishëm në shtëpinë e Arsenal, zyrtarizimi brenda pak ditëve

23/05/2023 13:32

Bukayo Saka do të vijojë eksperiencën me Arsenal duke rinovuar kontratën me londinezët deri në vitin 2028.

Klubi dhe sulmuesi prej kohësh kishin nisur negociatat për rinovimin e kontratës duke qenë se ajo aktualja skadonte vetëm pas një viti. Gjithçka shkoi sipas planeve të drejtuesve të “The Gunners”, pasi Saka konsiderohet si një prej elementëve kyç për të ardhmen e Arsenal.

Për Saka ka pasur interes edhe nga klube të tjera europiane, por tashmë londinezët janë të sigurt dhe në ditët e ardhshme pritet që rinovimi të marrë formë zyrtare dhe të bëhet publik duke zbuluar edhe më shumë detaje në lidhje me pagën sezonale. Në këtë formë te Arsenal vijojnë të ndjekin politikën për të mbajtur pranë talentet që janë pjesë kryesore e planeve të trajnerit Mikel Arteta, teksa më herët i është rinovuar kontrata portierit Aaron Ramsdale dhe sulmuesit Gabriel Martinelli.

Tashmë, fokusi i drejtuesve të Arsenal kalon tek mbrojtësi William Saliba dhe kapiteni Martin Odegaard, dy lojtarët në radhë për të firmosur kontratën e re.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA