Rama falenderon qytetarët në Lezhë e Kurbin: Jam i prekur për fitoren në bashki ‘të diskutueshme’, kemi përgjegjësi të madhe

23/05/2023 18:50

Besëlidhjen e dytë të lezhjanëve me PS farkëtuar në zgjedhjet e 14 Majit, për të pasur përsëri, kryetar bashkie Pjerin Ndreun, krye-socialisti Edi Rama e shikon si një përgjegjësi për t’i shërbyer njësoj si socialistëve dhe demokratëve.

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë premtoi se në mandatin e ardhshëm do të bëhet për Lezhën dhe Kurbinin disafish më shumë sesa ç’është bërë në të këtë mandat.

Fjala e Ramës:

Shumë faleminderit për gjithë këtë mikpritje! Më vjen shumë mirë që jam këtu sot për t’ju falënderuar drejtpërdrejtë të gjithëve, ju që jeni këtu në radhë të parë se ju jeni si të thuash zemra e gjithë kësaj përpjekjeje dhe e gjithë këtij rezultati të jashtëzakonshëm qoftë në bashkinë e Lezhës, qoftë në bashkinë e Kurbinit, por përveç jush edhe të gjithë ata që s’janë këtu që morën pjesë në këtë përpjekje apo që iu bashkuan si përpjekje në fund, duke i dhënë votën Pjerinit dhe Majlindës.

Pjerini i rreshtoi të gjitha me shumë pasion. La pa thënë si ishte puna e atij atentatit që i bëri bashkë me Ulsiun Salvatorit se çdo gjë e kisha imagjinuar, por që këta të dy do tentonin të hiqnin qafe Salvatorin në autostradë, këtë se kisha parë as në ëndrrën më kurajoze.

Megjithatë atentati i tyre dështoi dhe bashkinë e fituan pa pasur nevojë që ta heqin qafe Salvatorin. Nuk rrija dot pa e thënë këtë, se kemi pas një hall të përbashkët me Ulsiun deri kur filloi fushata, se Ulsiut Salvatori i shkruante tre herë në ditë: kur do takohemi me shefin. Ulsiu ma thoshte mua tre herë në javë, s’mund t’i them thoshte çdo vakt, por kur do takosh me këtë Salvatorin, po unë them thoshte mos e tako se është mashtrues.

Unë i thosha kujdes se mos të mashtron ty se unë se takoj. Edhe si përfundim shkoi mashtroi atë plakun, i tha deshi të më vriste Ulsiu me Pjerinin. S’ke çfarë i bën. Ndodhin dhe këto, por përtej shakasë që nuk është gjysma e së vërtetës, është e gjithë e vërteta, unë jam shumë i prekur nga kjo mbështetje që ne kemi marrë në datën 14 maj, në gjithë Shqipërinë, pa diskutim, por sidomos në bashkitë ku unë i fusja tek ato 11 që ishin të diksutueshme.

Ju kujtohet ajo 50 plus, nga zero në 11 në palën tjetër dhe realisht e vërteta është se të dyja këto bashki ishin tek ato 11. Dhe fitorja në të dyja këto bashki është një kënaqësi nuk diskutohet, por kënaqësia zgjat pak ditë pastaj fillon edhe vendin e kënaqësisë e zë përgjegjësia e madhe sepse është një sfidë shumë e madhe që na kanë bërë votuesit, qoftë në Lezhë, qoftë në Kurbin. Na kanë lënë në dorë, si të thuash, që ne t’i provojmë që me ne mund të shkojnë vetëm përpara.

Të them të drejtën më vinte keq që bashkia Kurbin nuk ishte ndër bashkitë e sigurta sepse në bashkinë Kurbin kemi bërë mbase më shumë se për çdo bashki tjetër po ta marrësh në mënyrë relative dhe faktikisht sot Laçi është një qytet i ri që vazhdon ndërtohet.

Një lagje e dytë e re po ndërtohet. Shkollat, kopshtet në bashkinë Kurbin janë si shkollat e kopshtet më të mira që ndërtohen në Tiranë. Ndërhyrjet në infrastrukturë kanë qenë ndërhyrje që njerëzit i prisnin prej dekadash që nga Përroi i Majlindës. I them Përroi i Majlindës sepse ai ishte një  plagë, nuk ishte një përrua, një plagë që hapej sa herë që binte pak shi dhe që përmbyste gjithë zemrën e qytetit dhe përhapej nëpër rrugë dhe që prej shumë e shumë vitesh kërkonte kurim, por u desh Majlinda, këmbëngulja e jashtëzakonshme e Majlindës që të qepet dhe nuk ndahet, se Pjerini ka namin, Majlinda ka …

Kur thotë Pjerini do më durosh dhe 4 vjet, unë them ky nuk e di s ç’heq unë me Majlindën. I kisha mbajtur deri në tre Pjerinë. Realisht! E kam parë që këta të vegjlit sa më të vegjël janë, aq më të tmerrshëm janë. Por në këtë rast ky është bekimi i komunitetit dhe bashkisë atje sepse një njeri që i rri punës mbi kokë kaq me këmbëngulje dhe kaq me përkushtim është tamam njeriu që i duhet situatave të vështira dhe atyre plagëve që janë aq të vjetra dhe aq të trashëguara sa duken sikur nuk do shërohen më kurrë.

Natyrisht e kam thënë dhe atje ku bëmë mitingun dhe e përsëris edhe këtu, Majlinda duhet të qetësohet pak kur flet me njerëzit sepse bërtet përpara sesa tjetri të thotë “Mirëmëngjes”.

Se nuk të lë të flasësh edhe problemi kryesor që Ulsiu ka pasur me elektoratin atje ka qenë që sa herë shkonte i takonte pa Majlindën i thoshin “ajo s’të lë të flasësh, çfarë t’i votojmë asaj”. Kështu që, kjo është natyrisht shaka që është gjysmë e vërtetë, por ndërkohë ajo që unë besoj që është gjëja më e rëndësishme dhe që gjithë këta të rizgjedhur apo të zgjedhur rishtas me flamurin e PS duhet të kuptojnë me çdo kusht, është se njerëzit kanë një pritshmëri shumë të lartë dhe pritshmëria shumë më e lartë ka të mirën e vetë sepse të jep vota, por ka dhe hallin e vet nga mbrapa sepse duhet të shlyhet me rezultate që i përgjigjen pritshmërive. Tani e vërteta është që askund në asnjë familje, në asnjë organizatë, në asnjë komunitet, në asnjë shtet nuk ekziston një situate, ku të jetë e mundur çdo dëshirë dhe çdo kërkese. Gjithmonë kërkesat dhe nevojat janë më shumë sesa mundësitë, edhe për Amerikën edhe për Shqipërinë, edhe për të gjithë sepse është në natyrën e njeriut që të kërkojë më shumë, është në natyrën e bashkësisë njerëzore që të kërkojë më shumë. Dhe ti mund të thuash “po unë zgjidha problemin e përroit”. Problemi i përroit është i tejkaluar, është e shkuara, njerëzit shikojnë përpara dhe thonë “derisa u zgjidh problemi i përroit atëherë do zgjidhen dhe këto tre të tjerat që dukeshin më të vështira se përroi po ia që u zgjidhkan.

Dhe natyrisht që nuk do të jetë e mundur që të gjitha pritshmëritë të realizohen, por ama një gjë është e mundur me siguri dhe unë dua të insistoj në këtë sepse në këtë pikë ne kemi deficit, kemi shumë borxhe në të gjitha nivelet dhe kjo është ajo që populli jonë e thotë perfekt “Hallin që nuk ma zgjidh, të paktën ma qaj”.

Nevoja e njerëzve për t’u dëgjuar kur kanë një problem duhet përmbushur me çdo kusht, kërkesat e tyre duhen respektuar, duhen shpjeguar kur nuk është e mundur të plotësohen me çdo kusht, njerëzit duhet të ndjehen pjesë e një familjeje në një komunitet dhe bashkia është si një shtëpi e përbashkët. Bashkia është si e zonja e shtëpisë, jo i zoti shtëpisë se i zoti i shtëpisë ikën ndonjëherë, bëhet tapë e harron ku e ka derën e shtëpisë natën, kurse e zonja e shtëpisë është gjithmonë aty që e mban derën hapur dhe që mban shtëpinë pastër e që bën të mundur që shtëpia të ketë për të ngrënë dhe të ketë ku të flejë.

Në këtë kuptim, ne duhet të bëjmë një hap të rëndësishëm përpara për t’i afruar njerëzit më shumë dhe për t’ua bërë të kuptojnë pse-në, në rastet kur diçka nuk bëhet se pse nuk bëhet. Njerëzit dhe në veçanti shqiptarët janë shumë herë më mirënjohës kur i dëgjon sesa thjesht kur i zgjidh ndonjë problem, të falënderojnë 10 herë po jua dëgjove me vëmendje hallin dhe të falënderojnë 1 herë kur ua zgjidh dhe kjo është shumë e kuptueshme.

Prandaj unë them që për bashkitë tona, pika e parë e programit qeverisës, e para fare, prioriteti i prioriteteve duhet të jetë njerëzillëku. Njerëzillëku i kryetarëve, njerëzillëku i nënkryetarëve, njerëzillëku i këshilltarëve, njerëzillëku i gjithë përgjegjësave, drejtorëve dhe njerëzillëku i të gjithë atyre që janë në kontakt me qytetarët se nuk mjafton që të jetë vetëm i pari i punës, por duhet të jene të gjithë dhe kjo nuk është e lehtë dhe kjo nuk ndodh.

Në sa e sa raste, njerëz që duhet të qëndrojë gatitu përpara qytetarëve, sillen sikur u kanë në dorë jetën edhe për gjënë më të vogël.

Përtej kësaj, patjetër që ne e dimë shumë mirë se çfarë kemi bërë edhe në Lezhë, edhe në Kurbin nuk është e mjaftueshme për të thënë “Shikoni e duartrokisni” por është e mjaftueshme për të thënë që ne e dimë se çfarë duhet bërë, dimë si ta bëjmë dhe prandaj ne mund t’i çojmë gjërat përpara dhe mund t’i bëjmë dhe ato gjëra që mbeten për t’u bërë që janë më shumë sesa ato që kemi bërë.

Kemi folur dhe kemi diskutuar gjatë fushatës, nuk dua t’i hyj e t’i përsëris këtu sepse natyrisht dhe ju nuk keni ardhur të dëgjoni një fjalim.

Fjalimet i kemi mbaruar me fushatën, tani jemi këtu për t’ju falenderuar dhe pastaj sigurisht, pjesa tjetër është puna që duhet bërë, por dua t’ju them që kini shumë besim që potenciali i madh i kësaj zone, bashkë unë i shoh të dyja sepse pavarësisht se Pjerini thotë Lezha është ndër më të mëdhatë, prapë Lezha është shumë e vogël, Kurbini është shumë i vogël, Shqipëria është shumë e vogël.

Kështu që, nëse ne duam sukses, duhet që t’i shtrijmë përtej kufijve administrativë, edhe përtej kufijve të Shqipërisë krahët e ambicies tonë dhe të zgjerojmë territorin në të cilin bëjmë plane dhe sjellim zhvillim dhe duke qenë se ne duam që të bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm në vitin 2030, atëherë çdo kilometër katror i Shqipërisë ka një potencial për të kontribuar në arritjen e këtij objektivi.

Lezha sigurisht që ka filluar ta zbulojë potencialin e vet, por unë ju them “Kini besim” sepse potenciali i Lezhës mbetet më shumë sesa 70-80% për t’u zbuluar akoma. Kjo do të thotë shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër të ardhura për ekonominë tonë kombëtare, për bashkinë, për njerëzit, shumë më tepër investime, investime private në zhvillimin e gjithë Lezhës turistike, e cila nuk është thjesht bregdeti sepse ka shumë më tepër se bregdeti, por edhe Kurbini ka një potencial të jashtëzakonshëm.

Unë e kam thënë në fushatë dhe e përsëris prapë sepse është një nga ëndrrat që unë kam; që Kurbini të jetë një destinacion turistik për turizmin fetar. Është sot, por problemi është që çfarë është sot dhe sa përfiton Kurbini dhe sa përfiton Lezha nga pikëpamja ekonomike, nga gjithë ato ditët e pelegrinazhit, por edhe përtej tyre. Përfiton shumë pak, për të mos thënë aspak sepse nuk e ka sot mundësinë të presë ata njerëz dhe t’i mbajë aty, të mos i lërë të ikin brenda natës, por t’i mbajë aty, ndërkohë që Lezha është e shkëputur nga ky aktivitet.

Nëse bëhen bashkë dhe nëse ne, qeveria, bashkë me dy bashkitë, e shohim turizmin e gjithë qarkut të Lezhës, duke filluar nga këto të dyja që janë afër, që ndajnë bregdetin, që kanë destinacione të ndryshme, atëherë gjëja shkon në një drejtim më të qartë.

Padiskutim që këtu hyn dhe qarku i Shkodrës e të tjerë derisa të kompletohet gjithë ndërlidhja dhe gjithë ndërveprimi i gjithë pjesëve të trupit të Shqipërisë dhe aty pastaj Shqipëria do bëhet e pathyeshme si destinacion dhe si industri e turizmit, do bëhet e pathyeshme.

E treta që kam, ka të bëjë me shërbimet.

Kemi bërë gjëra të mëdha në krahasim me situatën e tmerrshme ku ishim. Sot kemi një shtrirje komplet tjetër të shërbimit të ujit të pijshëm, gjë që ishte problem i tmerrshëm kur ne kemi marrë detyrën, por ka akoma pjesë që duhen mbuluar me shërbim dhe patjetër që ne nuk mundet dot më tani ta neglizhojmë faktin që Mamurrasi i është bashkuar trenit të kësaj fitoreje me një kontribut shumë serioz dhe Mamurrasi ndërkohë vuan për ujë të pijshëm.

Që të vuante Mamurrasi me ata që dikur thonin “Sa të kemi Mamurrasin, ne nuk pyesim për Francën dhe Amerikën” ose që për 20 minuta mund ta merrnin pushtetin me djemtë e Mamurrasit kjo ishte normale, hallall e kishte që të vuante përderisa i jepte votën atyre tipave, por sot na e ka dhënë neve votën Mamurrasi dhe na ka dhënë një votë shumë të qartë, ashtu sikundër ne kemi marrë rezultatin më të mirë ndonjëherë në Milot. Miloti mund të ketë shumë gjëra, por një pazar ka që e ka të famshëm. E do atë pazarin Miloti dhe duhet që ne të bëjmë çmos që t’ia japim atë pazar. Pra në 4 vite, që të jemi të qartë, se mos e kërkojnë që nesër, në 4 vite ne duhet të jemi në gjendje që këto dy dhe të tjera çështje t’i përmbyllim, ashtu sikundër çështjet kryesore që kemi me bashkinë e Lezhës e me të gjitha bashkitë. Duhet të gjejmë rrugën që ti bëjmë e ne do ta gjejmë rrugën që t’i bëjmë se këto nuk është se janë thjesht pjesë e kontratave elektorale por janë të rëndësishme për ekonominë e vendit tonë.

Lezha e Kurbini kanë një rol për të luajtur në ekonominë e vendit tonë, jo thjesht në ekonominë familjare të komuniteteve të tyre.

E fundit që kam është një falënderim i veçantë për të gjithë ata të djathtë që na e dhanë votën. U jam mirënjohës sinqerisht, por dhe për të gjithë ata të djathtë që nuk dolën fare në votim. Ka plot të djathtë që nuk e kapërcejnë dot ylberin se u duket një mëkat shumë i madh, por ama është shumë e rëndësishme që nuk e ndynë dorën për të vënë kryqin aty ku në fakt do t’i kishin vënë kryq gjithë historisë së familjes së tyre. Ku do kishin rënduar kujtimin e paraardhësve në familje që e kanë përcaktuar familjen si djathta, për shkak të persekutimeve, për këtë duhet t’i falenderoj shumë fare.

Dua të falënderoj posaçërisht gratë dhe vajzat. Tani burrave mos tu vijë keq, se e para, burrat nuk duhet ta harrojnë se po mos të ishin gratë, burrat nuk do kishin ardhur fare në këtë jetë dhe kjo botë do kishte rëndë rehat njëherë e mirë se burrat i krijojnë problemet.

E dyta, burrat bëjnë mirë ta dinë që si burrë, unë e di që kush bën të fortin jashtë shtëpie, në shtëpi rri gati tu! Kështu që kjo ideja që ne nuk pyesim për gratë, bërtitet më shumë nga ata burra që në fakt kur shkojnë tek gruaja fillojnë justifikohen, isha këtu, ndalova pak aty.

E fundit, pse dua t’i falendeorj gratë në mënyrë të posaçme? Sepse u kam kërkuar ndihmë grave që të votojnë PS dhe për dijeni të gjitha të dhënat tregojnë që ne jemi një nga partitë më të votuara nga gratë në Europë. U kam kërkuar ndihmë grave që bashkëvuajnë me të djathtët, që t’i mbajnë burrat në shtëpi nëse nuk i bindin dot që të dalin e të votojnë për Pjerinin, Majlindën e për kandidatët tanë dhe jam i bindur që një pjesë e tyre e kanë bërë sepse braktisja që i ka ndodhur atyre të tjerëve nga të djathtë e ndershëm, nga të djathtë e vërtetë, nga ata që realisht e vuajnë sinqerisht çështjen e të djathtës e që ne nuk na shohin dot me sy, është një shërbim i madh për Shqipërinë, por është një shërbim i madh dhe për vetë të djathtën. Duhet ta dinë, duke i shkuar mbrapa deri në humnerë, atyre që e mbajnë flamurin e të djathtës e që nuk duhet ta mbajnë atë flamur, në fakt thjesht shtyhet agonia.

Duke i braktisur ndihmohet edhe rilindja e të djathtës por rilindjen e të djathtës nuk e kemi ne detyrë ta bëjmë, ne kemi detyrë të bëjmë rilindjen e Shqipërisë.  Ajo që është sfida më e madhe për ne, më e madhja e gjithë kësaj historie është ajo harta në 14 maj. Për herë të parë ajo hartë nuk është e ndarë në dysh, si një trup i ndarë, ku lexohet një ndasi shumë e madhe. Për herë të parë ajo hartë është harmonike.

Kur e them këtë, nuk jam duke thënë që të bëhet Shqipëria e gjitha një parti, larg qoftë, por jam duke thënë që ajo është një sfidë shumë e madhe pikërisht për të kundërtën, se nëse ne socialistët e lexojmë atë hartë si triumf socialist, të socialistëve mbi të tjerët, po ju them që ne thjesht hyjmë në pyll pa sëpatë dhe dalim të humbur nga mënyra e të parit të asaj harte. Nëse ne lexojmë atë hartë si rezultat i një shkëputjeje shumë të rëndësishme të një pjese të së djathtës nga trungu i kalbur i të djathtës e nëse marrim atë hartë si një sfidë, jo për ta bërë qeverisjen tonë në nivel mavi siç është harta por për ta bërë kuqezi, atëherë ajo hartë do të jetë gjithmonë e më pak e ndarë e do të jetë gjithmonë e më shumë reflektim i votës me mend.

Shumë njerëz në këto zgjedhje, më shumë se çdo herë tjetër kanë vepruar me mend sepse një pjesë e madhe e jona nuk diskutohet fare, votojnë me zemër, “jemi socialistë dhe PS jemi, PS do të jemi”. Një pjesë tjetër janë aq shumë tifozë saqë nuk e kanë parë që udhët ta kishin braktisur, totalisht, fare, ato 200 e ca mijë vota që kishin marrë, se janë tepër, nuk duhet të kishin marrë fare, për të gjitha ato arsye që i kemi shpjeguar në fushatë, por nuk ka rëndësi. Ama është një pjesë e rëndësishme që ka vepruar me mend. Ata që kanë thënë, këtë herë unë mund të jem shumë i djathtë, por unë këtë herë do t’ia jap votën Pjerinit, do t’ia jap votën Majlindës sepse unë dua që të vazhdojnë punët në këtë qytet ku unë jetoj e ku rris fëmijët. Kjo është ajo vota për të lidhur karrocën me kalin e duhur, që e thoja gjatë fushatës, apo për të gjetur gomarin e duhur për t’i vendosur barrën mbi shpinë.

Tani, disa që ju i njihni se kush janë dhe që përgojuan gomarët e vërtetë, kafshët e punët, janë aq shumë nën gomarët sa që unë e kam të detyruar në fund të kësaj fushate tu kërkoj falje gomarëve të vërtetë, kafshëve të punës, sepse nuk e meritojnë të futen në gojën e atyre njerëzve sepse nuk i kanë shërbyer këtij vendi aq sa i ka shërbyer një gomar i vetëm shtëpisë së vetë, duke marrë e duke çuar çfarë i kanë vënë mbi shpinë.

Duke u kthyer tek vota, ajo votë është votë me mendje se dihet që nuk ka shans që Lezhës ti bëjë hyzmet askush tjetër sot për sot, përveç Pjerinit. E kam parë në mëngjes, e kam parë në darkë, e kam parë me përmbytjet, me tërmetin, me plazhin, me rërën, me disiplinën, me të gjitha. Ashtu sikundër kam parë dhe Majlindën me tërmetin, me përroin, me të gjitha dhe kjo është njëra anë e votës me mend për të marrë në punë njerëzit e duhur.

Ana tjetër është e mos daljes nga shtëpia fare, në pamundësi psikologjike për të dhënë votën, në mënyrë që të mos i bashkohet njeriu prap me mend, një turme që s’di ku shkon më. Edhe në këtë aspekt, kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme e këtyre zgjedhjeve.

Prandaj ne, dhe e mbylla, me qeverisjen tonë të çdo bashkie, duhet ta lidhim më shumë se asnjëherë më parë fjalën që unë jam këtu për të gjithë ju, me veprën që po, gjithsecili nga ju, qoftë i majtë, qoftë i djathtë, ka tek unë një derë të hapur.

Kjo është e domosdoshme. Prandaj dita jonë çdo ditë duhet të nisë me fjalën njerzillëk në mendje dhe në fund dita duhet të mbyllet me një bilanc pozitiv në raport me të gjithë njerëzit që deshën një shpjegim, që bënë një ankesë, që deshën të dëgjohen dhe në një mënyrë ose një tjetër u dëgjuan. Duhet një angazhim i madh për këtë. Unë e di shumë mirë. Nuk është e lehtë. Njerëzit kanë shumë probleme. Kanë shumë halle, por kjo është baza për të ndërtuar dhe për ta mbajtur bashkë komunitetin që e krijoji 14 maji.

Pjerini në fjalën e vet, bëri një bilanc duke përmendur njësi administrative, duke përmendur rezultate. Ato rezultate janë shprehje e një momenti që ka krijuar një komunitet. Një komunitet që ka shkuar përtej vijës ndarëse mes partive dhe Partia Socialiste në Lezhë ka marrë një rezultat që s’e ka marrë asnjëherë më parë nga pikëpamja e numrit. Dhe këtë mesazh duhet ta kthejmë në instrumente për ta mbajtur këtë komunitet bashkë, për të mos e lënë të rindahet nga zhgënjimi, nga mungesa e rezultateve në raport me pritshmëritë dhe mbi të gjitha, mbi të gjitha nga mungesa e njerzillëkut.

Ne nuk mund të kemi deficit njerzillëkun në raport me njerëzit. Këtë e them për të gjithë se për mua ky është mesazhi kryesor i 14 majit nëse ne duam ta fitojmë apo të dalim barazim me sfidën e pritshmërive të mëdha që njerëzit kanë pasur kur kanë ardhur dhe kanë thënë: ‘’Na luajtët mendsh, vetëm përpara, vetëm përpara, vetëm përpara, ne i kemi kuajt e duhur, ne i kemi gomarët e duhur, këto na i thotë ky krye-kali dhe krye-gomari i tyre, dy metra krye-gomar, t’ia japim votën dhe t’ia vëmë barrën në kurriz dhe të shohim a do i zbresin drutë poshtë a do na i humbin drutë rrugëve’’.

Kjo është sfida. E ne që të dalim barazim në këtë sfidë, se është shumë e madhe, dhe të dalim të nderuar dhe faqebardhë me njerëzit, duhet që çdo gjë që nuk mund ta bëjmë sot, ta shpjegojmë pse nuk bëhet sot dhe kur do bëhet. Çdo gjë! Çdo gjë që mund ta bëjmë sot, duhet që të mos e lëmë për nesër. Nuk dua të bëj asnjë kompliment këtu dhe nuk dua të shtoj ëmbëlsinë e fjalëve sepse fushata ka mbaruar, por unë besoj që ju këtu në radhë të parë, që keni bërë kilometrat tuaja për të mbështetur Pjerinin dhe Majlindën, nuk do bëheni pishman. Unë besoj se nuk do keni arsye që të bëheni pishman sepse është e sigurt që keni mbështetur dhe keni vlerësuar në dy njerëz që këtë punë e kanë me gjithë zemër dhe e kanë me gjithë mend.

Askush nuk është perfekt. Të gjithë kanë ato të metat e tyre, dobësitë e tyre, por kjo është e sigurt. Unë ju garantoj, ne votat i kemi marrë, detyrim tjetër përveç detyrimit që buron nga zemra për të ardhur këtu unë s’kisha, ne s’kishim. Mund të rrinim në zyrë ose në shtëpi, kemi ardhur këtu dhe kam ardhur këtu për t’iu thënë që nëse përpara sesa të merrnim votën iu thashë që mandatin e ardhshëm do të bëjmë disa fish më shumë sesa kemi bërë këtë mandat, unë po ja u them prap sot që do të bëjmë disa fish më shumë sesa kemi bërë dhe nuk di sesi mund të bëhet disa fish në Laç, por mund të bëjmë disa fish në Mamurras, në Milot, në Fushë Kuqe.

Ju falenderoj, nuk kam fjalë të mjaftueshme për t’iu thënë të gjithëve ju këtu, shumë sinqerisht, sesa shumë ju falenderoj.  Shpesh shqiptarët e Facebook-ut, se jam marrë shumë me ta, por s’merrem më, kanë një shprehje shumë të çuditshme: ‘’ Hë mo se detyrën po bën, hë mo se detyrën ke bërë’’. Njerëzit detyrën bëjnë, se për vezë të kuqe s’ke çfarë ju kërkon se s’e bëjnë dot. Secili detyrën bën. Secili detyrën duhet ta bëjnë. Sikur të gjithë ta bënin detyrën, imagjino se ku do të ishte ky vend. Edhe ju këtu, një pjesë e juaja, për arsye se jeni kryetarë organizatash, që jeni në krye të rrjetit të koordinatorëve, që jeni në krye të skuadrave të patronazhistëve apo të tjerë që thjesht kanë ardhur sepse kanë ndjerë detyrim moral, vullnetar, të bashkohen dhe këtu kam parasysh dhe një pjesë që janë më të moshuar, detyrën keni bërë të gjithë, por për këtë fakt që ju keni bërë detyrën, unë nuk kam fjalë që t’ju falenderoj sa meritoni.

Më falni se u zgjata! Rroftë Partia Socialiste se ne të tjerët shkojmë e vijm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA