Masakra e Lushnjës/ Arrestohet në Greqi Laert Haxhiu, i dënuar për vrasjen e dyfishtë në vitin 2017

23/05/2023 14:10

Laert Haxhiu, i shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2017 në Lushnjë, u arrestua një ditë më parë në Greqi.

Haxhiu qëndronte në shtetin fqinj me dokumente të falsifikuara. Në lejen e qëndrimit greke, ai mbante identitetin si Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.

Gazetarja Dorjana Bezat mëson se pas ndalimit në Janinë, Interpol Athina i ka dërguar të dhënat autoriteteve shqiptare, që bënë identifikimin e tij.

Bilbili dhe Kaloshi mbrëmjen e 11 tetorit të 2017 u nisën për të ekzekutuar Xhuljo Shkurtin, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës në një Lokal në Lushnjë. Plumbat e kallashnikovit qëlluan për vdekje Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën ndërsa shënjestra e atentatit Xhulio Shkurti, mundi të shpëtonte. Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili dhe Kaloshi akuzohen për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ si dhe ‘Prishja e qetësisë publike’.

Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2020, pasi bashkë me disa persona të tjerë kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotel ‘Volorekës’ në Pogradec, ndërsa ishte shpallur në kërkim për masakrën e Lushnjës. Ndërkohë Orgest Bilbili u kap në 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ai u plagos nga një punonjës policie pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.

Njoftimi i policisë për arrestimin e Haxhiut:

Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni policor i koduar “Eksponenti”, për kapjen e një shtetasi të shumëkërkuar ndërkombëtarisht për krime kundër personit.

Falë sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë të këtij informacioni me homologët grekë, kapet në Janinë, Greqi, dhe arrestohet me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, një shtetas i dënuar me 18 vjet burgim.

Me leje qendrimi greke të falsifikuar, kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Laert Haxhiu.

Në vijim të punës kërkimore të kryer në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë informacioneve të siguruara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Eksponenti”.

Në kuadër të këtij operacioni, në Janinë, nga Policia greke është bërë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit shqiptar shumë të kërkuar Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë. Ky shtetas u kap me leje qendrimi greke të falsifikuar, me emrin M. A., 32 vjeç.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim kryerjen e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt vendit tonë.

Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin e ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra penale në fusha të ndryshme, si dhe për të shkëmbyer informacion në kohë reale në lidhje me veprimtaritë kriminale ndërkufitare, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave apo grupeve kriminale që ushtrojnë këto veprimtari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA