Dy 15-vjeçarë me monopatina humbin jetën në Britani pas aksidentit që ndezi protesta (fotot)

23/05/2023 15:28

Dy djem adoleshentë kanë humbur jetën teksa drejtonin monopatinat e tyre elektrike pas përplasjes me një automjet në Uells në tragjedinë që ka ndezur protesta të ashpra në Uells.

Shokët e ngushtë Kyrees Sullivan, 15 vjeç, dhe Harvey Evans, 16, u goditën nga një automjet pranë shtëpive të tyre në zonën e varfër të Ely në Kardif, pasditen e djeshme.

Por protesta të dhunshme shpërthyen në zonë pas përhapjes së informacioneve të pakonfirmuara se ata po ndiqeshin nga një makinë policie.

Forca të shumta policie erdhën në zonë pas njoftimeve të vendasve se protestuesit kishin përmbysur automjete dhe djegur ato në shenjë zemërimi ndaj autoriteteve.

Qeveria e Londrës tha sot se  dhuna ishte e papranueshme dhe se ishin “mirënjohës ndaj shërbimeve të emergjencës që “kishin mbështetur komunitetin dhe rivendosur rendin”.

Zona po pastrohej sot pasi rreth 150 të rinj protestues, shumica të maskuar dogjën e thyen makina si dhe lëshuan fishekzjarrë ndaj policisë, mes të cilëve kishte dhe të plagosur, sipas raportimeve.

Miq të dy djemve të ndjerë thanë se ata ishin rritur së bashku dhe dilnin shpesh me motoçikleta në zonën në perëndim të Cardiff.

19 vjeçari John Silver, tha: ‘Kyrees e Harvey ishin shokë të ngushtë, ata ishin rritur bashkë dhe gjithmonë kishin drejtuar motoçikleta. Ata ishin në monopatina elektrike kur u vranë. Policia gjithmonë i ndiqte kur i shikonte edhe pse thonë se nuk ishin duke i ndjekur.”

“Kyrees e Harvey ishin djem të mirë që nuk shkaktonin probleme.”

Përfaqësuesi i policisë  Heledd Fychan, tha: “Mendimet tona janë me familjarët e djemve që humbën jetën. Do të ketë një hetim të plotë për incidentin tragjik dhe dhunën që e pasoi”.

Komisioneri laburist për policinë në Uells, Alun Michael, tha se dy të rinj vdiqën në një aksident me monopatina dhe se ishin përhapur zhurma të rreme për përfshirjen e policisë.

Policia ende nuk ka komentuar për atë që kishte ndodhur para aksidentit por ka dëshmi se oficerët ishin përpjekur të ndalonin të rinjtë për drejtim të monopatinave në rrugë ose hapësira publike.

FOTO GALERI
1/9
Kyrees Sullivan, 15 vjeç, dhe Harvey Evans, 16, kur ishin me te rinj

Top Channel