Burri përplaset për vdekje teksa ndihmonte rosat të kalonin rrugën në SHBA (fotot)

23/05/2023 17:09

Një burrë në Kaliforni ka humbur jetën kur u përplas nga një makinë teksa po ndihmonte një familje rosash të kalonin në anën tjetër të rrugës disa momente para aksidentit, tha policia.

41 vjeçari Casey Rivara, kishte dalë nga automjeti tij por u godit fatalisht nga një shofer adoleshent në Rocklin, rreth 40km në lindje të Sacramento.

Rivara kishte dalë për t’u siguruar që rosat të arrinin të sigurta në anën tjetër para përplasjes fatale, thanë dëshmitarët.

Policia tha se nuk ka bërë arrestime.

“Burri raportohet se po ndihmonte disa rosa që po kalonin në kryqëzim, por një adoleshent që drejtonte nga lindja goditi këmbësorin që ishte në mesin e rrugës”, tha në një deklaratë policia e Rocklin.

Dëshmitarja Summer Peterson, tha për rrjetin CBS News tha se fëmijët e saj panë përplasjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e të enjtes në orën lokale 20:15.

“Ata po thonin ‘Oh sa mirë që po i ndihmon’, kur papritur u godit nga një makinë”.

Në vendngjarje njerëzit kanë lënë lule dhe rosakë plastikë në formë homazhi.

“Casey ishte një baba e bashkëshort i mrekullueshëm. Edhe në aktin e tij të fundit ai tregonte dhembshurinë e tij”, thuhej në shënimet e homazheve.

E veja e tij Angel Chow, tha në një deklaratë: “I shprehim mirënjohjen të gjithëve për mesazhet e ndjera dhe aktet e dhembshurisë”.

Policia e Rocklin tha se incidenti është ende nën hetim.

FOTO GALERI
1/2
Një burrë në Kaliforni ka humbur jetën kur u përplas nga një makinë teksa po ndihmonte një familje rosash të kalonin në anën tjetër të rrugës

Top Channel