Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka takuar drejtorin e Departamentit për Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Holandës, Erik Weststrate, me të cilin ka biseduar edhe për procesi ne dialogut me Serbinë.
Qeveria ka bërë të ditur se Bislimi e ka njoftuar atë rreth takimit të fundit që kryenegociatorët kanë mbajtur në Bruksel.
“Në takim u ritheksua vendosmëria e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian. U shpreh mesazhi i qartë se vendi ynë e sheh të ardhmen e saj në BE, në arritjen e standardeve evropiane dhe punën e vazhdueshme në zbatimin e reformave të agjendës evropiane”, është theksuar në komunikatën e Qeverisë.
Në takim është thënë se Kosova është gati të bëjë hapa të mëtejshëm dhe të dërgojë marrëdhënien me BE-në në një nivel tjetër.
“Kosova është gati të bëjë hapa të mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian dhe ta dërgojë marrëdhënien me BE-në në një nivel tjetër. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se institucionet tona janë të maturuara dhe të gatshme për të kontribuar pozitivisht në këtë proces e për të ecur tutje në përmbushjen e hapave të nevojshme, në rrugën drejt BE-së”, është bërë e ditur në njoftim.
Top Channel