Policia spanjolle thanë se kanë arrestuar dje tre persona në lidhje me abuzimet raciste ndaj sulmuesit brazilian të Real Madrid, Vinicius Jr, i cili u konfrontua me tifozët e Valencia në stadiumin Mestalla kur ata lëshonin klithma ‘majmuni’ ndaj tij. Pas ndeshjes futbollisti tha se kampionati spanjoll “i përket racistëve”.
Incidenti u përmend dhe nga presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, i cili paralajmëroi kundër “racizmit” në stadiumet e futbollit dhe i kërkoi autoriteteve spanjolle të vepronin.
Qeveria e majtë spanjolle dhe institucionet e saj të sporteve kanë dënuar unanimisht shfaqjet e racizmit por incidenti të dielës ka treguar se nevojitet më shumë ndërgjegjësim.
“La Liga ka një problem,” tha trajneri italian i Real Madrid, Carlo Ancelotti, pas ndeshjes. Ndërsa Vinicius Jr shkoi dhe më tej duke thënë se “në Brazil, Spanja njihet si vendi i racistëve”.
Por të tjerë kanë ngritur dhe kritika ndaj karakterit të Vinicius Jr teksa Toni Freixa, anëtar bordi drejtues te skuadra e Barcelona tha se braziliani “provokon gjatë çdo ndeshjeje” dhe kjo është arsyeja që lojtarë të tjerë me ngjyrë të Real Madrid nuk bëhen objekt abuzimi racor në të njëjtën mënyrë.
Top Channel