I dërguari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Sudanin u bëri thirrje gjeneralëve të vendit të respektojnë një armëpushim shtatëditor që filloi të hënën mbrëma.
Ai shprehu shqetësimin për përshkallëzimin e tensioneve etnike në konflikt, duke theksuar se kjo mund ta çojë Sudanin në një luftë të zgjatur dhe të përhapur.
Volker Perthes i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se konflikti, i cili filloi më 15 prill, nuk ka treguar shenja të ngadalësimit pavarësisht gjashtë deklaratave të mëparshme të armëpushimit nga të dyja palët.
Të gjitha armëpushimet e mëparshme janë shkelur.
Armëpushimi i së hënës është i shtati që shpallet që nga shpërthimi i konfliktit mes ushtrisë sudaneze.
Duke folur disa orë përpara fillimit të armëpushimit, Perthes u bëri thirrje të dyja palëve t’i ndalojnë luftimet në mënyrë që ndihma humanitare e nevojshme të shkojë te personat në nevojë dhe civilët që kanë mbetur në mes të fushëbetejës, të largohen të sigurt, shkruan REL.
Perthes e quajti marrëveshjen për armëpushim “një zhvillim i mirëpritur”, por paralajmëroi se “luftimet dhe lëvizjet e trupave kanë vazhduar edhe sot, pavarësisht angazhimit të të dyja palëve për të mos ndjekur avantazhin ushtarak përpara se të hyjë në fuqi armëpushimi”.
Perthes akuzoi të dy palët ndërluftuese për shpërfillje të ligjeve të luftës duke sulmuar shtëpitë, dyqanet, tempujt e besimtarëve dhe infrastrukturën e ujit dhe energjisë elektrike.
“Objektet shëndetësore po shemben dhe më shumë se dy të tretat e spitaleve janë të mbyllura, shumë punonjës të kujdesit shëndetësor janë vrarë, furnizimet mjekësore po mbarojnë dhe objektet shëndetësore thuhet se përdoren si pozicione ushtarake”, tha ai.
Raportet e dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave, po ndiqen nga OKB-ja, tha ai.
Top Channel