Xhaçka takohet me Dendias në Bruksel: Çështja ‘Beleri’ nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet dy palëshe

22/05/2023 15:48

Ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka është takuar me homologun grek, Nikos Dendias në Bruksel këtë të hënë.

Në një postim në Twitter ajo theksoi se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-greke.

“Bruksel, takimi me mikun dhe kolegun tim, Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias ishte një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi çështjen “Beleri”. Theksova qartazi se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është as çështje e të Drejtave të Njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe. Z. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin. Blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë. E vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë”, shkruan Xhaçka.

Kujtojmë se arrestimi i Fredi Belerit për korrupsion në zgjedhjet e 14 majit ka shkaktuar debat mes dy vendeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA