Arsin Kabashi, president i Ballkanit, në një lidhje të drejtpërdrejt me “Zona Gol”, foli për titullin kampion të fituar për të dytin vit radhazi nga skuadra nga Suhareka, për trajnerin Daja dhe synimin për të ardhmen.
Si ka shkuar festa e titullit?
Kemi festuar gjatë, deri në mëngjes, për titullin e dytë radhazi.
Si ndiheni që po shkruani historinë si drejtues i Ballkanit?
Për pesë vjet, që kur e kemi marrë ne drejtimin, dy herë kemi qenë nënkampionë dhe dy herë të tjera kampionë. Na u desh të merrnim një trajner nga Shqipëria për t’ia dalë. Daja ka bërë një punë të mrekullueshme, shpresojmë të qëndrojë për shumë vite.
Vetëm rezultatet e mbajnë Dajën te Ballkani?
Trajnerëve puna u matët me rezultate. Ka bërë punë të mrekullueshme, me shumë profesionalizëm. Rezultatet e mbajnë te ne. Për vitin e dytë radhazi i arritëm objektivat. Të shohim si do të shkojnë gjërat në vitin e tretë.
Një vit më parë e fituat titullin me lehtë, me 12 pikë diferencë…
Ka qenë një sezon më i vështirë, sepse kemi luajtur shumë ndeshje në Europë. Kemi pasur shumë lëndime dhe jo shumë lojtarë zëvendësues. Skuadrat kundërshtare kanë pasur dëshirë të japin më shumë kundër nesh. Çdo ndeshje ishte e vështirë. Vjet ishim katër kandidatë për titullin, sivjet kishim vetëm Dritën.
Tashmë do të mendoni për Europën, me më shumë uri?
Do të jetë shumë e vështirë, por besoj shumë në përvojën e trajnerit dhe të lojtarëve. Nisemi për atë synim, të shohim si do të shkojë. Kemi edhi një javë, pastaj do të shohim për përforcimet. Shpresoj që trajneri Daja t’i fitojë bastet me mua. /Supersport
Top Channel