Nuk arriti kuorumin e kërkuar, Mitsotakis kthen pas mandatin qeverisës! U hap rrugë zgjedhjeve të reja

22/05/2023 13:21

Kryetari i parlamentit grek i ka dorëzuar mesditën e së hënës presidentes së vendit dosjen me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të djeshme në Greqi, ku konservatorët e Kyriakos Mitsotakis kanë triumfuar përtej parashikimeve me 40,79% të votave dhe 146 mandate në parlament, duke shtuar fuqinë e tyre krahasuar me 4 vjet më parë me mbi 150 mijë vota.

Mbi 600 mijë vota ose një të tretën e përkrahësve të tyre kanë humbur të Majtët e Syrizës, partia e parë greke në opozitë që dobësohet kaq shumë në 3 dekadat e fundit, duke marrë vetëm 20.07% të votave  dhe 71 mandate.

Në vendin e tretë, socialistët e Pasokut i kthehen rolit të protagonistit të politikës greke, duke siguruar 11.46% të votave dhe 41 mandate. Pasojnë komunistët që kanë rritur fuqinë e tyre duke siguruar 7,22% të votave dhe 26 vende në parlament dhe partia e djathtë Zgjidhja Greke që përforcohet duke marrë në shkallë vendi 4,45% të votave dhe 16 vende.

Lideri konservator Mitsotakis pasi ka marrë mandatin për të krijuar qeveri ka deklaruar se e kthen atë mbrapsh, duke ju hapur rrugë zgjedhjeve të reja ku pretendon shumicën parlamentare.

“Besoj se mesazhi i kutisë së votimit ishte shumë i qartë. Nuk besoj se ka terren për të formuar qeveri nga ky parlament dhe dua të theksoj se nëse sistemi zgjedhor që do të përdorim herën tjetër do të përdorej dje, Demokracia e Re do të kishte tashmë një shumicë të fortë parlamentare prej mbi 170 vendesh. Prandaj do ta kthej këtë mandat eksplorues këtë mbrëmje, që të mund të shkojmë në zgjedhje të reja”- ka thënë ai.

Mandati presidencial do ti shkojë me radhë partisë së dytë dhe të tretë deri në fundjavë dhe meqënëse asnjë nga forcat politike që u futën në parlament nuk duan koalicion me partitë e tjera, atëhere kthehet tek presidentja, e cila sipas kushtetutës beton parlamentin e ri, të cilin e shpërndan një ditë më vonë pasi nuk mund të krijohet qeveria.

Më pas krijohet një qeveri teknike me kryeministër një gjykatës të lartë, i cili shpall zgjedhjet brenda 20 ditëve rreth fundit të qershorit, zgjedhje që zhvillohen me sistem proporcional të përforcuar ku partia e parë në bazë të përqindjes do të marrë nga 20 deri në 50 vende shtesë në parlament.

Vlerësohet se konservatorët nuk do ta kenë të vështirë të sigurojnë këtë shumicë parlamentare, ndërsa me interes të madh priten zhvillimet në partinë Syriza, por edhe tek socialistët e PASOK-ut, të cilët pretendojnë të bëhen forca e dytë politike në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA