Sikurse në gjyqin paraprak edhe në themel të akuzuarit e inceneratorit të Fierit kërkuan papërdorshmëri të provave dhe gjykim të shkurtuar.
Mbas shumë seancash të shtyra për shkak të gjetjes së adresave dhe njoftimit të palëve, nisi këtë të hënë procesi penal ndaj 18 të pandehurve dhe 13 kompanive nën akuzë për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.
I pranishëm në gjykim ishte edhe ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka, për të cilin në një dosje tjetër atë të inceneratorit të Elbasnanit u kërkua 10- vjet burgim. Por as ish-ministri dhe as ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie Alqi Bllako, nuk dhanë asnjë deklaratë përpara trupës së gjykimit.
Njëri nga të akuzuarit Arben Dervishi, ish-mbikëqyres i punimeve në djegësin e Fierit së bashku me Regan Merdanin kërkuan shpallje të mos kompetencës dhe kalim të çështjes në gjykatën e kryeqytetit. Kjo kërkesë vjen mbas ricilësimit të akuzës kundër tyre me urdhër të gjyqtares paraprake, çka e detyroi SPAK t’u adresojë vepra që nuk kanë lidhje me funksionarët e lartë, por me sektorin privat.
Arbër Denizi pretendoi përmes avokatit se nuk ka marrë dijeni për nisjen e procesit dhe për këtë arsye procesi duhet pezulluar sipas tij. Nga ana tjetër, i dyshuari Arenc Myrtezani i kërkoi gjykatës të shpallë të pavlefshme prova si ekspertizat grafike dhe teknike të kryera nga SPAK. Për këto kërkesa gjykata mori kohë deri në 29 maj, kur dhe do të shprehet se si do të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor.
Top Channel