Autori i dyshuar për vrasjen e 47-vjeçarit Arjan Gosa në Kavajë një natë më parë, ndodhet ende në arrati.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e kaluar në lagjen nr.1 të Kavajës, ndërsa veprimet e shpejta hetimore çuan në identifikimin e autorit të krimit, por jo në kapjen e tij. Policia ka vënë në dispozicion të çdo qytetari që jep informacion për vendndodhjen e Habib Rexhës 10 mijë euro.
Habib Rexha, bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë dhe verifikimet e bëra, dyshohet se qëlloi dhe vrau Arjan Gosën i cili ndodhej i ulur në lokalin ku zakonisht pinte kafen e pasdites së vonë. Gosa ka qenë bashkë me babanë e tij 78-vjeçar kur është qëlluar me një plumb të vetëm në kokë që i mori jetën.
Brenda më pak se dy muajsh 78-vjeçari humbi dy djemtë e tij në dy ngjarje kriminale që kanë lidhje me njëra-tjetrën. Policia deklaroi se vrasja është kryer për motive hakmarrjeje. Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, 43-vjeçarit që mbeti i vrarë në vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 29 mars në Kavajë. 31-vjeçari Habib Rexha vendosi të hakmerret ndaj ekzekutorit të vëllait të tij, Edmond (Armand) Gosa që mbeti gjithashtu i vrarë në mars.
Vrasja e marsit ndodhi për motive të dobëta. Nga hetimet mbi ngjarjen rezulton se Edmond Gosa e fyente vazhdimisht Altin Rexhën në lidhje me origjinën e tij, ndërsa konflikti pati nisur për një “vështrim të shtrembër” mes tyre. Mbrëmjen e 29 marsit teksa Rexha ndodhej bashkë me djalin e vet në afërsi të banesës së tij është konfliktuar sërish me Edmond Gosën i cili e ka qëlluar.
Rexha i është kundërpërgjigjur dhe të dy kanë humbur jetën. Ditën e djeshme Habib Rexha është hakmarrë për vrasjen e të vëllait duke e vrarë atë në prani të të atit, Osmanit. Më pas është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes, sipas dëshmitarëve. Policia vazhdon të jetë në kërkim të autorit. Ndërkohë dy vëllezërit Gosa kanë qenë përfshirë dhe në një tjetër sherr banal qe përfundoi me vdekjen e të plagosurit prej tyre, Gentian Gjuzit pak muaj pas ngjarjes që ndodhi në nëntor të vitit 2012 në qytetin e Kavajës.
Top Channel