Roberto Firmino dhe James Milner luajtën për herë të fundit në Anfield me ngjyrat e Liverpool.
Të dy lojtarët do të mbyllin eksperiencën me The Reds teksa sfida ndaj Aston Villas, i mundësoi përshëndetjen me tifozët në shtëpi.
Në fakt, lamtumira e Firminos dhe Milner nuk erdhi në rrethanat e duhura me vendasit që nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 ndaj Aston Villas dhe duke zbehur ndjeshëm shpresat për një kualifikim në Champions League sezonin e ardhshëm. Ishte pikërisht goli i Firminos ai i cili evitoi disfatën për të besuarit e trajnerit Jurgen Klopp, me gjermanin që pas sfidës u shpreh se Firmino dhe Milner do t’i mungojnë shumë Liverpoolit.
“Firmino ka një histori të mrekullueshme këtu tek Liverpool, po ashtu edhe Milner. Ne i duam shumë këta djem dhe duhej t’i përgatisnim diçka speciale. Ndeshja ishte shumë e rëndësishme, por pjesa e parë nuk ishte e mirë dhe po nxitoheshim shumë në fushë.
U përmirësuam me aktivizimin e Firminos dhe Milner, ata treguan atë se çfarë do t’i mungojë Liverpoolit në të ardhmen. Milner ka një mentalitet të jashtëzakonshëm, nuk ka rëndësi kur aktivizohet, ai vendos gjithnjë një standart të lartë. Janë shumë ndeshje të cilat ia ka dalë të ndryshojë sjelljen e skuadrës në fushë”, u shpreh Klopp./ SuperSport
Top Channel