Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Qafë Thanë – Prrenjas, teksa një autobus është përplasur me një automjet tip “Benz”, i cili po lëvizte nga Prrenjasi në drejtim të Pogradecit.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se si pasojë e aksidentit automjeti tip “Benz” është përfshirë nga flakët dhe kanë mbetur të dëmtuar drejtuesi i tij, një 28-vjeçar me iniciale I.M., si dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët janë transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Mes të lënduarve është edhe një vajzë, e cila u nis drejt Tiranës me helikopter për mjekim të specializuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Sakaq, në autobusin e drejtuar nga 51-vjeçari me iniciale I.A. janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Për Top Channel, drejtuesi i autobusit është shprehur se mjeti i ka zënë rrugën pasi mori kthesën, duke u futur komplet në sensin e kundërt të lëvizjes.
“Unë isha duke zbritur kthesën e Qafë Thanës poshtë. Makina që vinte sipër, duke ndërruar marshet apo s’e di si, duke marrë kthesën më ka prerë rrugën sepse është futur komplet në sensin e kundërt të lëvizjes”- tha 51-vjeçari, duke shtuar se “Benzi” nuk ka shpërthyer direkt në flakë.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan dhe grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Top Channel