Në fshatin Reda, pranë Faenza që ishte qendra e përmbytjeve shkatërrimtare në Itali, fermeri 84-vjeçar Giovanni Frega shikon me dhimbje nga të mbjellat e tij të shkatërruara nga përmbytja e lumit pranë fushës.
Ferma e tij ashtu si të tjera vuajnë sot dëmet e atyre që llogariten si përmbytjet më të rënda në 100 vjet në Itali.
“Nuk kishim parë ndonjëherë diçka si kjo”, thotë Frega për katastrofën e papritur qe vrau 14 njerëz dhe ka bërë të evakuohen mijëra të tjerë.
Italia merrte dje oferta ndihme ndërkombëtare për dëmet në qytete e banesa, por ato në të mbjella janë katastrofa kryesore që do të ndikojë ne tregun e brendshëm të ushqimit.
Operacionet e pastrimit kanë nisur në disa zona teksa autoritetet vijojnë të mbajnë në alarm përmbytjesh rajonin e Emilia Romagna ku 22 lumenj të vegjël kanë dalë nga shtrati.
Autoritetet thanë se sasia e reshjeve të gjashtë muajve ra çuditërisht brenda 36 orëve të katastrofës.
Stefano Bonaccini, kreu i rajonit të Emilia Romagna kërkonte nga qeveria një plan kombëtar për të zbutuar pasojat e katastrofave të tilla, duke thënë: “Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë më.”
Top Channel