Operacionet e pastrimit vijojnë në Emilia Romagna, numri viktimave të përmbytjeve arrin në 14 (fotot)

19/05/2023 18:46

Operacionet e pastrimit e kërkimit vijonin sot në Faenza në verilindje të Italisë, ku përmbytjet shkatërrimtare lanë të paktën 14 viktima në rajonin Emilia Romagna.

Autoritetet në Ravenna urdhëruan evakuimin e dy qytezave të tjera të vogla dhe u bënin thirrje rezidentëve të reduktonin lëvizjet e tyre, pasi sipas zyrtarëve alarmi i motit vazhdon.

Numri i viktimave sot njoftohej se arriti në 14 teksa trupi i një burri u gjet në një shtëpi të përmbytur në Faenza, qyteza piktoreske e rrethuar nga lëndina e vreshta që është shkatërruar nga reshjet e përmbytjet e frikshme të fillimit të javës.

Rreth gjysma e 10,000 të evokuarve kaluan natën në një prej qendrave lokale të pritjes së refugjatëve, në palestra e hotele ndërsa ushqim nga kuzhina të lëvizshme shpërndahej për ta.

Vendasit në Faenza largonin sot baltën me lopata nga shtëpitë e tyre, duke flakur gjithashtu dyshekë e rroba të lagura, në sasi të mëdha mbeturinash.

Në Ravenna shiu vijonte të binte dhe kryebashkiaku Massimo Isola përshkruante një “situatë katastrofike” në zonat rrethuese të qytetit.

Shpëtimi i një fëmije nga krahët e nënës që ishte e zhytur në ujë deri në gjoks po transmetohet nga mediat italiane.

36 vjeçarja Fabiana, tha sot për mediat se “nuk do të harronte kurrë” ndihmën e dhënë nga vendasit që erdhën me not për t’i shpëtuar të birin.

Reshjet e pazakonta lëshuan mbi rajonin italian sasinë të gjithë vitit në vetëm 36 orë dhe kanë shkaktuar miliarda euro në bujqësi dhe qytete, ndërsa njerëzit kërkojnë masa për përballimin e përmbytjeve dhe rrëshkitjeve të dheut.

FOTO GALERI
2/5
Numri i viktimave sot njoftohej se arriti në 14 teksa trupi i një burri u gjet në një shtëpi të përmbytur në Faenza

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA