Taulant Stërmasi është presidenti i ri i federatës shqiptare të Atletikës.
Ish-trajneri i Luiza Gegës arriti të fitojë një garë relativisht të fortë me 3 kandidatë, së bashku me Ferdinand Canaj dhe Artan Shytin. Përpara fillimit të punimeve të kësaj asambleje fjalën e mori ish-presidenti Gjergj Ruli.
“Të gjithë kush ka kontribuar unë dua t’i falenderoj. Unë sot largohem dhe i uroj suksese Ferdinandit, Taulantit dhe Artanit”, tha Gjergj Ruli, ish-president i FSHA.
Më pas gara u zhvillua në 2 raunde. Në të parin Stërmasi mori 8 vota, Canaj 6 dhe Shyti 3 vota duke u eliminuar, ndërkohë që Stërmasi dhe Canaj shkuan në balotazh të cilin e fitoi Taulant Stërmasi me rezultatin 10 me 7.
“Është shumë e rëndësishme që kishte konkurrencë, sepse mungesa e konkurrencës na lë në nivele letargjie. Ne jemi të gjithë pjesë dhe duhet të luftojmë për atletikën. I ftoj edhe dy kandidatët e tjerë të jenë pjesë e atletikës sepse ne duhet të jemi, kështu do të ndodhi edhe me mua nesër. Besoj që federata e atletikës brenda 6 muajve dhe brenda mandatit do të ketë një fytyrë tjetër”, u shpreh Taulant Stërmasi – president i FSHA.
Pasi ka marrë këtë detyrë të re Taulant Stërmasi nuk do të jetë më trajneri i Luiza Gegës, për të cilën tregoi se po punohet për të pasur një trajner të huaj. I pranishëm në këtë asamble nga ministria e arsimit dhe sporteve ish zv. Ministri Endri Hoxha.
“Nuk pamë më ato grushta shkelma ndërhyrje, por pamë një asamble të qetë njerëz që votojnë, votë e lirë dhe patjetër fitoi kandidati që kishte edhe prezantimin më të mirë. Një kandidat që u zgjodh nga një votë jo e lehtë”, deklaroi Endri Hoxha – zv. Ministër i Sporteve.
Top Channel