Ish-kryeministri italian Berlusconi del nga spitali pas gjashtë javësh (fotot)

19/05/2023 17:32

Kreu i partisë Forza Italia thuhet se është kthyer në shtëpi pas 45 ditë trajtimi për një infeksion në mushkëri “të lidhur me leukeminë kronike”.

Ish-kryeministri Silvio Berlusconi ka dalë nga spitali në Milano ku ishte shtruar më shumë se gjashtë javë më parë.

Miliarderi 86-vjeçar i medias doli sot nga spitali San Raffaele pa bërë komente.

Mediat italiane publikonin foto dhe pamje të Berlusconi që shoqërohej me një limuzinë të errët dhe përshëndeste me dorë gazetarët gjatë daljes, sot në pasditen e hershme.

Berlusconi ishte shtruar më 5 prill dhe javën e parë të qëndrimit raportohet se kaloi në kujdes intensiv, para se të vendosej në pavjonin normal.

Megjithse ai tashmë shfaqet vetëm rrallë në publik, Berlusconi vijon të mbajë formalisht postin e senatorit dhe të kryetarit të partisë së djathtë Forza Italia, partnere e vogël në koalicionin e qeverisë së Giorgia Meloni.

Meloni e kishte vizituar atë të dielën në spital, ku tha se ishte “në humor shumë të mirë.”

Sot ajo shkruante në rrjetet sociale: “Forza Silvio, po të presim në terren për të luftuar shumë beteja”.

Ai është vizituar gjithashtu nga zëvendësi i tij në Forza Italia, aktualisht ministri i jashtëm italian Antonio Tajani, dhe aleati koalicionit Matteo Salvini, drejtues i partisë Lega.

Berlusconi ka qenë tre herë kryeministër mes viteve 1994 e 2011, por ka dominuar shumë më gjatë politikën në vend me rrjetin e tij të mediave Mediaset dhe duke zotëruar klubin e njohur të futbollit AC Milan.

Berlusconi ka qenë disa herë në spital prej kohës së virusit ndërsa muajin e kaluar u diagnostikua me “leukemi kronike”.

FOTO GALERI
1/3
Mediat italiane publikonin foto dhe pamje të Berlusconi që shoqërohej me një limuzinë të errët dhe përshëndeste me dorë gazetarët

Top Channel