Mbarimi zgjedhjeve riktheu punimet e parlamentit në seancë plenare.
Pa diskutime e debate, edhe me disa vota të deputetëve të opozitës u miratua marrëveshja për ndërtimin e urës mbi lumin Bunë që lidh Malin e Zi me Shqipërinë.
Kreu grupit parlamentar socialist Taulant Balla u dha përgjigje akuzave të opozitës pas humbjes së thellë të 14 Majit.
“Historia që në këto vite humbësi e sheh fajin gjithnjë tek kundërshtari dhe asnjëherë nuk bën një analizë të vetën se çfarë ka bërë gabim është e gabuar. Të insistosh në të njëjtin gabim është çmenduri, por le të vazhdojnë të insistojnë”, tha Balla.
Tashmë që zgjedhjet mbaruan Taulant Balla foli për prioritetet të cilat duhet të udhëheqin parlamentin.
“Thirrja ime është që opozita të rikthehet pasi na duhet të punojmë së bashku për një sërë çështjesh që kërkojnë bashkëpunimin mes mazhorancës dhe opozitës. Vota është përgjegjësi”, Balla.
Kreu PBDNJ Vangjel Dule, mori fjalën ne mbrojtje të Fredi Belerit arrestuar për blerje votash.
“Fredi Beleri është rrëmbyer nga sekti i Rilindjes, është marrë peng nga Edi Rama. Ai është arrestuar në flagrancë për dyshime. Flagranca presupozon faktin e kryer ndërsa dyshimi është dyshim. Si mund ta ketë një kryeministër personalisht me disa qytetarë? Nuk ka institucione ky vend? Jo. Dua të bëj një thirrje të fundit, kreu i bashkisë së Himarës Fredi Beleri duhet të shkojë mes himariotevë që e zgjodhën”, tha Dule.
Top Channel