Avokati Ylli Manjani, duke folur për pretencën e dhënë sot nga SPAK për inceneratorët, shprehet se ka një ironi në këtë dosje.
Sipas tij, SPAK kërkon të dënojë Mirel Mirtirin, vetëm sepse është bashkëshorti i Stela Gugalles, një prej administratoreve të kompanive koncesionare të inceneratorëve.
“Mirel Mërtiri, duke qenë se është burri i Stela Gugalles, thotë prokuroria, je pronari faktik i kompanisë së Stelës. Ajo është pronarja e biznesit dhe meqë ky është burri i pronares, është po ashtu pronar i kompanisë. Kështu thotë prokuroria: për shkak se burri ka gruan biznesmenë, do të mbajë përgjegjësi penale”.
Ndërkohë, gazetarja Anila Hoxha, e ftuar në “Top Story”, thotë se ka një kontradiktë mes pretencës dhe kërkesës për gjykimin e inceneratorit të Elbasanit.
“Dosja e pretencës dhe kërkesa për gjykim e inceneratorit të Elbasanit ka disa kontradikta të theksuara. Ju e mbani mend shumë mirë luftën që nisi nga vjeshta deri në dhjetor, që SPAK nuk hetoi ose nuk ndërmori veprime konkrete ndaj ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj. Rezultati ishte që ishin kthyer përgjigje shumë vonë për kompjuterin e Klodian Zotos. Për rrethana të reja, u tha nga SPAK, do ta veçojmë çështjen. Tani, e njëjta prokurori thotë se është kqyrur tableta, kompjuteri, kanë dalë të dhëna. Edhe nga email-et, thotë meqë ka komunikime me email, ka veprime konkrete. Njësoj sikurse edhe prenotimi për hotel për zotin Ahmetaj, që u konstatua nga kqyrja në kompjuterin e Zotos.
E njëjta gjë gjendet edhe në shkëmbimet me email për një nga të akuzuarit dhe që vërteton sipas SPAK-ut, marrëdhënien midis Mirel Mërtirit dhe Lefter Kokës për udhëtime. Është kqyrur sistemi TIMS, është kqyrur fatura”.
Hoxha interpreton mënyrën se si Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion bën marrëdhënien mes Lefer Kokës dhe të pandehurit Klodian Zoto.
“Thotë se për shkak të një email-i të shkëmbyer midis shtetases Brunilda Koka me shtetasen, detyrimisht vërtetohet që ky komunikim fakton se i pandehuri Klodian Zoto ka pasur njohje me të pandehurin Lefter Koka”.
Pretenca e SPAK:
Për shpërdorim të detyrës, SPAK kërkoi sot dënimin me 4 vite burg, për korrupsion dënimin e Kokës me 7 vite, ndërsa për pastrim parash u kërkuan 9 vite burgim.
Në bashkim të dënimeve tha prokurori i SPAK për Lefter Kokën të jepen 10 vjet heqje lirie, që po me sygjerimin e SPAK ky dënim duhet të zbresë në 6 vjet e 8 muaj burgim për ish ministrin u kërkua edhe një dënim i dytë ai i heqjes të të drejtës për të ushtruar funksione publike për pesë vitet e ardhshme.
Megjithatë Lefter Koka dhe tetë të tjerë të hetuar në të njëjtën dosje përfitojnë gjykim të shkurtuar e për rrjedhim zbritje të një të tretës së dënimit. Duke mbajtur parasysh gjykimin e shkurtuar në inceneratorin e Elbasanit dënimi i kërkuar zbret në 2 vjet burg e 8 muaj burg edhe ndaj ish sekretarit të përgjithshëm Alqi Bllako.
Po ashtu 2 vjet e tetë muaj edhe për katër anëtarët e komisionit, për stela Gugallian 4 vjet e tetë muaj burg dhe për Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton nga 6 vjet e 8 muaj burg, dënime këto të kërkuara nga SPAK në rast se ata gjenden fajtorë.
Top Channel