Gazetarët protestojnë ndaj ligjeve ‘anti-terror’ që shënjestrojnë punën e tyre në Tunizi (fotot)

18/05/2023 19:02

Dhjetra gazetarë protestuan sot në kryeqytetin tunizian Tunis kundër ligjeve anti-terror të cilat po përdoren nga autoritetet për të intimiduar median, teksa një prej tyre u burgos kësaj jave për pesë vjet.

Protestuesit u mblodhën para sindikatës kombëtare të gazetarëve duke brohoritur: “Ne jemi gazetarë nuk jemi terroristë” si dhe “Duam liri për shtypin tunizian”.

Grumbullimi vjen pas gjyqit të së martës ku ligjet e kontestuara anti-terror u përdorën në mënyrë të paprecedentë për të shtuar në pesë vjet dënimin e dhënë për gazetarin Khalima Guesmi, i cili kishte apeluar një dënim me një vit burg në nëntor.

Guesmi ishte shpallur fajtor për shpërndarje të qëllimshme të “informacionit mbi përgjimet, infiltrimet dhe të dhënat e agjencive të mbikëqyrjes e mbledhjes së të dhënave”, siç tha avokati i tij pas vendimit.

“Ka një orientim të qartë drejt mbylljes izolimit dhe shtypjes, ndaj të gjitha mediave që nuk i binden narrativës së qeverisë,” tha Mahdi Jlassi, kreu i sindikatës së gazetarëve.

“Ne duam të ngrejmë përsëri alarmin kundër tkurrjes së lirive në vend dhe procedimeve  gjyqësore të gazetarëve e sindikalistëve e të tjerëve për komentet, artikujt e madje dhe këngët e tyre”.

Të hënën dy studentë tunizianë ishin ndaluar nga policia pasi postuan një këngë në rrjetet sociale viheshin në lojë ligjet dhe teknikat e policisë kundër përdorimit të drogave.

Rreth 20 gazetarë janë aktualisht duke u ndjekur penalisht në Tunizi për punën e tyre, shtoi  Jlassi.

Shumë organizata ndërkombëtare paralajmëronin dje “kundër udhëheqjes shtypëse të autoriteteve në Tunizi” dhe bënin thirrje për mobilizim në mbrojtje të lirive e të të drejtave të njeriut.

FOTO GALERI
2/4
Një gazetar u burgos kësaj jave për pesë vjet me ligjet e reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA