Në Gjykatën Speciale në Hagë ka përfunduar kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në gjykatë ka dalë për të dytën ditë me radhë dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

Ai ka dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private apo me përmbajtje të redaktuar, përjashtuar disa pjesë kur seanca është hapur për publikun.

Dëshmitari i cili mban kodin 3165 ka deklaruar se i është bashkuar UÇK-së në korrik të vitit 1998.

Ai pretendon se disa persona kishin marrë familjarët e tij, gjë të cilën dëshmitari e ka thënë në pjesën e seancës së hapur.

ZPS e ka përfunduar intervistimin e tij ndërsa ai ka nisur të përgjigjet edhe në pyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

Të mërkurën, Trupi Gjykues ka urdhëruar palët që të dorëzojnë parashtrimet e tyre jo më vonë se data 31 maj për të treguar hapat konkretë që mund të ndermerren për të siguruar një shkallë më të lartë të publicitetit të këtij procesi gjyqësor.

“Seancat në DHSK janë publike përveçse kur Trupi Gjykues vendos të mbajë seancë të mbyllur ose të kalojë në seancë private në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave. Sipas rastit, Trupi Gjykues vendos që pjesë të procesit gjyqësor t’i mbajë në seanca private ose të mbyllura dhe arsyeja kryesore është mbrojtja e sigurisë dhe identitetit të dëshmitarëve dhe viktimave”, ka thënë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle.

Ai ka thënë se palët mund të kërkojnë që seanca të jetë private por vendimi i gjykatësit për miratim ose jo të kërkesës merret pas shqyrtimit të kujdesshëm.

“Në Urdhrin mbi Zhvillimin e Gjykimit, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët bëri të qartë se ‘argumentet ligjore dhe paraqitja e provave nga palët dhe pjesëmarrësit do të bëhet në seanca të mbyllura ose private vetëm kur të jetë absolutisht e domosdoshme”, ka thënë ai.

Në këtë proces gjyqësor, të mërkurën ka filluar intervistimi i dëshmitarit të pestë të ZPS-së, ndërsa para tij kanë dëshmuar katër të tjerë, të gjithë nën masa mbrojtëse dhe në seanca të mbyllura për publikun.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit do të vazhdojë nga e hëna deri të mërkurën e javës së ardhshme.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

Top Channel