Enkelejd Alibeaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike dhe nga ai i kreut të grupit parlamentar pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 majit.
Përmes një deklarate për shtyp, Alibeaj tha se do ja paraqesë kërkesën e dorëheqjes organeve drejtuese të partisë, teksa propozoi se PD duhet të udhëhiqet nga një organ kolegjial derisa të zgjidhet kryetari i ri.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Gazment Bardhi, i cili thekson se pasi u njoh me deklaratën ka thirrur në mënyrë urgjente një takim pune me Tabakun, për të diskutuar mbi zbatimin e nenit 46 të Statutit të partisë.
Sipas Bardhit, në mungesë të zgjatur të kryetarit me aprovimin e Këshillit Kombëtar ai zëvendësohet nga nënkryetari – në këtë rast Tabaku – i cili do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri. Nëse Tabaku pranon të zëvendësojë kryetarin, atëherë do të mblidhet Këshilli Kombëtar që bën komandimin.
“Pasi jam njohur me deklaratën e Nënkryetarit të Partisë z. Enkelejd Alibeaj, që ushtron përgjegjësinë e drejtuesit të Partisë, se heq dorë nga ushtrimi i kësaj përgjegjësie dhe nga detyra e Kryetarit të Grupit Parlamentar, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetaren e Partisë znj. Jorida Tabaku, për të vlerësuar mbi zbatimin e nenit 46 të Statutit, në këtë periudhë tranzitore.
Sipas nenit 46 te Statutit në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”- tha Bardhi.
“Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar”- tha më herët Alibeaj.
Top Channel