Çmimet individuale në Francë, “shuplakë” për Galtier dhe PSG

17/05/2023 14:06

Që është një sezon i shkuar keq për PSG-në, kuptohet nga kandidatët për çmimet individuale të Ligue 1.

Ceremonia e 28 majit nuk nderon parizienet, të paktën siç do të pritej për një klub të ndërtuar për të dominuar në Europë dhe sidomos në atdhe.

Përkundrazi, skuadra e Christoph Galtier nuk ka formalizuar ende titullin, kur mbeten 3 javë nga fundi. Në këtë mënyrë trajneri nuk është mes kandidatëve për çmimin e trajnerit më të mirë, i injoruar nga homologët që kanë preferuar para tij madje edhe trajnerin e Clermont.

Të paktën janë Messi dhe Mbappe mes lojtarëve më të mirë. Në listë dhe Donnarumma mes portierëve.

Nuk ka kaluar gjithsesi pa bërë bujë shuplaka ndaj Galtier në atë që duhej të ishte viti i kurorëzimit të tij. Tekniku e ka fituar trofeun në 2012, pastaj edhe dy herë mes 2019 dhe 2021 si timonier i Lille, që e drejtoi drejt triumfit në Ligue 1.

Ndërkohë, në Paris, ka shkuar gjithçka keq. Që nga janari e deri tani kanë ardhur eliminimet në 1/8 e Kupës së Francës dhe, mbi të gjitha, në Champions League.

Pastaj shumë humbje në kampionat, që është ende i hapur. Sigurisht, të dielën do t’i mjaftojë të barazojë ndaj Auxerre në rast disfate të Lens në Lorient për të formalizuar titullin e 11-të , por PSG me emra të tillë si Messi, Neymar dhe Mbappe duhej të ishte imponuar shumë më parë.

Në peshoren e Galtier rëndon dhe mungesa e lojës në lartësinë e yjeve që ka në skuadër. Shumë herë PSG është shafqur pa personalitet dhe uri. Ndaj dhe kolegët e tij e kanë përjashtuar nga lista prej 5 kandidatësh për çmimin e trajnerit të vitit.

Favoriti i madh është Franck Haise, që i ka garantuar Lensit modest një vend në Champions League, duke prodhuar lojë spektakolare. Një vend ka fituar dhe Igor Tudor, në garë për vendin e dytë me Marsejën e tij. Hapësirë edhe për Paulo Fonseca të Lille dhe Philippe Montanier, që ka drejtuar Toulouse në fitoren e Kupës së Francës.

Në grupin e elitës është dhe Pascal Gastien, që bën mrekulli me Clermont, duke e mbajtur në Ligue 1 për të dytin vit radhazi me një organikë të cunguar.

Galtier mbetet në këtë mënyrë në kufij të projektit, me mediat që e japin të sigurt një pushim të tijin në fundin e sezonit. PSG ngushëllohet me dyshen Messi-Mbappe mes elementëve më të mirë të kampionatit, me “bomberin” francez në avantazh ndaj argjentinasit, që është mbret i asisteve, por që vërshëllehet nga tifozët.

Jonathan David i Lille dhe Lous Openda i Lens konkurrojnë me Mbappe edhe për titullin e kryegolashënuesit, në listë dhe Seko Fofana, kapiten i zbulimit Lens. Mes portierëve është Gigio Donnarumma, por që nuk niset si favorit. Ceremonia e dhënies së çmimeve është programuar për në 28 maj./ SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA