Caktohen datat për zgjedhjet e ardhshme evropiane

17/05/2023 14:59

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë vendosur të mërkurën që zgjedhjet e ardhshme evropiane të mbahet më 6 dhe 9 qershor 2024.

Sipas vendimit, që e ka bërë të ditur Këshilli i BE-së, qytetarët e 27 vendeve anëtare do të zgjedhin 705 deputetë të Parlamentit Evropian, për mandatin nga viti 2024 deri në vitin 2029. BE-ja zakonisht cakton një afat katërditor, brenda së cilit, vendet anëtare duhet të mbajnë zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Në disa vende, si Holanda, votohet gjithmonë ditën e enjte, ndërsa shumë vende, tradicionalisht zhvillojnë zgjedhjet gjatë fundjavës, kryesisht ditën e diel. Zgjedhjet për institucionet e BE-së mbahen në fund të muajit maj, por kësaj radhe vendet e bllokut i kanë caktuar ato dy javë më vonë.

Numri i deputetëve të Parlamentit Evropian ndahet mes vendeve anëtare, duke pasur parasysh numrin e banorëve të tyre, por ka një diskriminim pozitiv, në favor të vendeve më të vogla.

Asnjë shtet nuk mund të ketë më pak se gjashtë deputetë, sa kanë shembull Malta, Qiproja dhe Luksemburgu, dhe asnjë vend nuk mund të ketë më shumë se 96 deputetë, sa ka Gjermania. Por, kjo do të thotë se për t’u zgjedhur deputet në Parlamentin Evropian, një kandidati gjerman, potencialisht i duhen 10 herë më shumë vota, sesa një kolegu të tij në Maltë apo Qipro.

Pas zgjedhjeve evropiane, pason edhe zgjedhja e Komisionit të ri Evropian, presidentit të Këshillit, dhe funksioneve tjera të larta në institucionet e BE-së.

Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, u ka bërë ftesë të mërkurën qytetarëve të BE-së që të dalin në zgjedhje evropiane, të votojnë për kandidatët e tyre dhe të mos lejojnë që dikush tjetër të vendosë në vend të tyre.

“Bashkimi Evropian po zhvillohet pandërprerë. Bota po ndryshon, dhe ne duhet të ndryshojmë me të. Nuk mund të kemi frikë nga ndryshimet. BE-ja nuk është e përsosur. Këtë duhet ta pranojmë, por do të vazhdojmë njëkohësisht të dëgjojmë, sqarojmë dhe të punojmë në arritjen e rezultateve”, ka thënë Metsola, duke i ftuar qytetarët që të jenë “pjesë e aktivitetit më të madh demokratik në Evropë”, duke iu referuar zgjedhjeve evropiane.

Parlamenti Evropian është shumë i interesuar që të ketë dalje sa më të madhe në këto zgjedhje, pasi deri tash, prej vitit 1979 – kur janë zhvilluar zgjedhjet – e deri ne vitin 2014, përqindja e atyre që kanë votuar ka qenë vazhdimisht në rënie. Në zgjedhjet e vitit 2019, për herë të parë, pas një kohe të gjatë, në zgjedhje dolën mbi 50 për qind e qytetarëve.

Por, dallimi ishte shumë i madh, pasi në Belgjikë dhe Luksemburg votuan afër 90 për qind e qytetarëve e në vendet si Sllovakia, Sllovenia dhe Çekia, më pak se 30 për qind./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA