Ish-kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë për shtyp ditën e sotme ka akuzuar drejtësinë dhe qeverinë që janë përpjekur të asgjësojnë me çdo kusht opozitën.
Ai tha se të gjithë që donin të zhduknin opozitën dështuan, pasi 500 mijë shqiptarë e votuan opozitë.
“Cila është e vërteta? Një përpjekje antiligjore, antikushtetuese për të asgjësuar me çdo kusht opozitën e vërtetë. Kjo është fakt. Kjo është ndërhyrje direkte në fushatë, kjo nuk është shpikje e imja, ky është një realitet. Në kundërshtim me çdo lloj parimi dhe ligji, PD-ja, forca kryesore opozitare u fut në zgjedhje pa logo dhe emri i kryetarit të koalicionit u refuzua në mënyrën më staliniste. Të gjitha këto kishin për qëllim zhdukjen e opozitës. Tani procesi ka mbaruar. Çfarë ndodhi? 500 mijë shqiptarë votuan opozitën. Dështuan të gjithë ata, vendas dhe të huaj, që donin të zhduknin opozitën. Opozita dëshmoi se është e paasgjësueshme. Opozita është në këmbë, e vendosur të qëndrojë më fuqishëm se kurrë për interesat e shqiptarëve. Së dyti, kemi një statut partie, se ka njerëz që keqkuptojnë. Përdorin dy lloje mashtrimi, tezash. Ai statut do zbatohet pikë për pikë. Unë jam ky që jam sot këtu. Në verën e vitit 1991 kam bërë një betim, që zgjedhjet e para të lira që do humbas, unë largohem nga politika. Unë nuk tërhiqem përpara krimit monstruoz elektoral. Vetëm sa më shtojnë motivet. Por anëtarët e PD, në përputhje me statutin, do ftohen. Ata që rrinë nëpër ekrane, ata rrahin ujë në hava.”- tha Berisha.
Top Channel