Alibeaj dorëhiqet nga drejtimi i PD-së: Duhet të bëhet riorganizim i partisë, të shkëputet nga berishizmi

17/05/2023 17:04

Rezultatet katastrofike për Partinë Demokratike zyrtare në zgjedhjet e së dielës janë pasuar me dorëheqjen e Enkelejd Alibeaj nga funksionet që mban.

“Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar”.

Por, vendimi i Enkelejd Alibeaj është vetëm një gjysmëlargim. Ai nuk dha dorëheqjen si nënkryetar, funksion nga i cili buron edhe detyra e kryetarit të komanduar apo e kreut të grupit.

“Tashmë që zgjedhjet përfunduan, po largohem nga drejtimi dhe do të vazhdoj të ushtroj detyrën time dhe përgjegjësinë ndaj demokratëve, si nënkryetar dhe pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike”.

Qëndrimi në detyrën e nënkryetarit të Partisë Demokratike zyrtare i hap rrugë idesë së Enkelejd Alibeajt sesi duhet të drejtohet kjo parti drejt ringritjes deri në zgjedhjen e lidershipit të ri.

“Unë po largohem për t’i hapur rrugën një drejtimi kolegjial të partisë, në këtë fazë që hedh themelet për të ardhmen”.

Partia Demokratike zyrtare nuk është drejtuar kurrë në kolegjialitet përveç një kohe të shkurtër gjatë themelimit të saj. Me gjysmëlargimin e tij, Enkelejd Alibeaj la shumë paqartësi për të ardhmen e partisë së tij, e cila doli forcë e tretë dhe në disa bashki e katërta në zgjedhjet lokale të së dielës. E paqartë mbetet edhe nëse ai do të kandidojë për kreun e ri të Partisë Demokratike zyrtare. E qartë është sesi Alibeaj e do këtë PD të mbetur.

“Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-ën”.

Enkelejd Alibeaj nxitoi të largohej vetë pa pritur revoltën brenda radhëve. Një paralajmërim të asaj që pritet të ndodhë në Partinë Demokratike e dha Gazment Bardhi kur njoftoi se për drejtimin e partisë do ndiqet statuti, i cili nuk flet për kolegjialitet në asnjë rrethanë, por vetëm për drejtim të përkohshëm nga një prej nënkryetarëve dhe e vetmja që mban këtë post është Jorida Tabaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA