E kanë pritur me trishtim humbjen e kandidatit socialist Redjan Krali simpatizantët e PS në Kavajë.
Pas shpalljes së rezultatit ditën e djeshme, një qytetare ka shpërthyer në lot për humbjen e Kralit, të cilin e quan njeri me zemër të madhe që ka ndihmuar gjithkënd. Sipas saj me marrjen e bashkisë në duart e Fisnik Qosjes, Kavaja do të fundoset.
“Ishte i drejtë e kishte zemrën e madhe, ka ndihmuar gjithkënd. Zoti ka për ti gjykuar. Je njeri i ndershëm i ke gjithë të mirat. Është njeri me zemër të madhe. Kavaja do fundoset nuk ecën më përpara. Medet për këtë popull që do i drejtojnë njerëz pa vlera. Turp të ketë populli i Kavajës që votoi për ata njerëz”- shprehet një simpatizante e kandidatit socialist.
Krali pranoi humbjen, e cila ishte në diferencë të vogël me kundërshtarin.
“Unë kam fituar miq të mirë shumë, jeta vazhdon. Ky është vendimi i bashkëqytetarëve. Realisht kam fitu shumë shokë”– u shpreh ai.
Kandidati i “Bashkë Fitojmë” Fisnik Qosja e fitoi Bashkinë e Kavajës me 11.761 vota. Me një diferencë prej vetëm 858 votash, ai la pas kandidatin socialist Redjan Krali i cili mori në total 10.903.
Top Channel